Fabrika e çelikut Azovstal është kthyer në prioritetin numër një të udhëheqjes politike e ushtarake të Ukrainës. Yuri Sak, një këshilltar i ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se përpjekjet janë fokusuar në mbrojtjen e kompleksit industrial dhe kryerjen e sa më shumë evakuimeve.
Azovstali është fortesa e fundit e rezistencës ukrainase në qytetin e rëndësishëm port dhe strategjik të Mariupolit. Sak tha se ky qytet ka qenë “zemra” e luftës.
Po ashtu gjatë intervistës ai pohoi gjendjen e vështirë të trupave ukrainase. Këshilltari shtoi më tej se ushtarët ruse kanë nisur një ofensivë tokësore pas bombardimeve ajrore.
Sak tha se shpreson që palët të bien dakord për disa korridore humanitare në mënyrë që të lihen të lirë civilët dhe ushtarët e plagosur.
“Jemi optimistë. Por sigurisht kemi eksperienca të hidhura të Rusisë që nuk respekton angazhimet e saj”, tha ai.
Ndërkohë nga ana tjetër, Rusia ka fajësuar Ukrainës për prishje të marrëveshjeve duke shkaktuar prishjen e korridoreve humanitare në Mariupol.
Komandanti i regjimentit Azov: Po luftojmë beteja të përgjakshme në Azovstal
Komandanti i regjimentit Azov ka thënë se forcat ukrainase në uzinën e çelikut Azovstal janë duke luftuar beteja të vështira dhe të përgjakshme kundër trupave ruse.
Në një mesazh të postuar në Telegram, Denis Prokopenko lavdëroi “përpjekjet mbinjerëzore” të ushtarëve të tij për të zmbrapsur sulmet ruse dhe duke shtuar se situata ishte shumë e vështirë.
Mesazhi i tij erdhi pasi zyrtarët ukrainas konfirmuan që forcat ruse kanë hyrë në territorin e fabrikës, fortesa e fundit e ushtarëve ukrainas në qytetin e shkatërruar të Mariupolit.
Presidenti Zelensky ka thënë që do të vazhdojë përpjekjet e tij për të evakuuar civilët nga uzina.