KShH zbulon mospërputhje për orën kur u gjet i pajetë Ilvi Meta
“T’i kushtohet vëmendje e veçantë të arrestuarit Ilvi Meta, pasi ky i fundit mund të tentojë vetëvrasjen”.
Kjo ishte porosia që sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, la përgjegjësi i turnit të dhomave të sigurisë në Komisariatin e Kavajës, Petrit Berhamaj përpara se të dorëzonte detyrën atë ditë.
Shënimi i bërë nga nënkomisari tashmë i arrestuar për shpërdorim detyre është bërë në orën 19:00.
Por në gjetjet e vëzhguesve të komitetit evidentohet se orari kur është lënë shënimi ka mospërputhje me atë kur mjeku kqyri nga afër trupin e pajetë të të ndierit.
“Vëzhguesit e KShH-së raportojnë se ky shënim ka mospërputhje me shënimin që mjeku, O.H, ka bërë në librin e vizitave mjekësore, nr 63, duke shënuar orën 18:00 të datës 4 Maj, si orën e konstatimit të trupit të pajetë të të ndjerit. Kjo mospërputhje e bën të paqartë momentin kur punonjësit kanë konstatuar ngjarjen”.
Por veç kërkesës për vëmendje, polici i turnit nuk ka lënë shënime të tjera mbi arsyet se përse 31-vjeçari mund të kryente vetëvrasje.
Hetimet e kryera deri tani nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë dalë në përfundimin se Ilvi Meta i dha fund jetës duke u vetëvarur me lidhësen e kapuçit sportive, në këtë qeli.
Ai e kishte lidhur lidhësen në këto hekura.
Burime nga grupi hetimor sqaruan se ai kishte hematoma në trup, të cilat, sipas mjekëve ligjore, janë shkaktuar nga mbytja dhe komplikacionet e krijuara nga bllokimi i frymëmarrjes, raporton Tv Klan.
Për ngjarjen e rëndë, AMP vuri në pranga 3 punonjës policie të cilën paraditen e së shtunës do të dalin para Gjykatës së Kavajës.
Për efektivët prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’ pasi dhe nga hetimet e kryera këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre nuk kanë marrë masa për parandalimin e ngjarjes së rëndë.