Bota Ukraina: Të gjithë fëmijët, gratë dhe të moshuarit janë evakuuar nga fabrika...

Ukraina: Të gjithë fëmijët, gratë dhe të moshuarit janë evakuuar nga fabrika e çelikut në Mariupol

Të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit që po strehoheshin në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol janë evakuuar, tha të shtunën zëvendëskryeministrja e Ukrainës, megjithëse zyrtarët e ushtrisë thanë se forcat ruse vazhduan ta sulmonin atë.

“Kjo pjesë e operacionit humanitar në Mariupol ka përfunduar,” shkruante zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Luftëtarët ukrainas vazhdojnë të bëjnë qëndresë për të parandaluar një pushtim të plotë të Mariupolit. Marrja nën kontroll e portit të rëndësishëm strategjik në Detin Azov do t’i jepte Moskës një urë tokësore për në Gadishullin e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina gjatë një pushtimi në vitin 2014.

Dhjetra civilë u dorëzuan të premten nën kujdesin e përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, konfirmuan zyrtarët rusë dhe ukrainas.

Të evakuuarit e fundit pasuan afro 500 të tjerë që u lejuan të largoheshin nga uzina dhe pjesë të tjera të qytetit ditët e fundit.

Nën bombardime të rënda, luftëtarët dhe civilët kishin mbetur të bllokuar për javë të tëra në bunkerë dhe tunele të thella që përshkojnë objektin.

Forcat ruse të mbështetura nga tanke dhe artileri u përpoqën përsëri të shtunën për të sulmuar Azovstalin, tha komanda ushtarake e Ukrainës, pjesë e një sulmi të ashpër për të zmbrapsur mbrojtësit e fundit ukrainas në qytetin port strategjik në Detin Azov.

Mariupoli është shndërruar në gërmadha pas javësh bombardimesh ruse.

Trupat ukrainase përforcojnë pozicionet në pritje të intensifikimit të luftimeve

Me afrimin e 9 majit, festës që përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore mbi Gjermaninë naziste, trupat ukrainase po përforcojnë pozicionet e tyre dhe qytetet anembanë Ukrainës u përgatitën për një intensifikim të pritshëm të sulmeve ruse. Zyrtarët u kërkuan banorëve që t’u kushtojnë vëmendje sirenave paralajmëruese për sulmet ajrore.

“Ndërsa e gjithë bota e qytetëruar kujton viktimat e luftërave të tmerrshme këto ditë, Federata Ruse do të bëjë parada dhe po përgatitet të kërcejë mbi eshtra në Mariupol”, tha zëvendësministri i brendshëm i Ukrainës, Yevhen Yenin.

Betejat më intensive ditët e fundit kanë ndodhur në Ukrainën lindore, ku të dyja palët përpiqen të sigurojnë territor që nuk është nën kontrollin e tyre.

Analistët ushtarakë perëndimorë thonë se një kundër-ofensivë ukrainase po përparonte rreth qytetit verilindor të Kharkivit, ndërsa rusët arritën përparime të vogla në Luhansk, një zonë ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar që nga viti 2014.

Goditje me raketa në Odesa

Ministria ruse e mbrojtjes tha të shtunën se raketat e saj me precizion të lartë kishin shkatërruar avionët ukrainas në fushat ajrore në rajonet Artsyz, Odesa dhe Voznesensk dhe se raketat e saj Iskander kishin goditur pajisjet amerikane dhe evropiane pranë Kharkivit.

Ukraina kishte thënë më parë tha se katër raketa kishin goditur rajonin e Odesës të shtunën, pa shkaktuar viktima. Dy raketa kishin goditur një fabrikë mobiljesh në një zonë të banuar në Odesa, ndërsa dy të tjerat goditën një pjesë tashmë të dëmtuar të pistës, sipas zyrtarëve ukrainas.

Një zëdhënës rajonal ukrainas tha më pas se kishte pasur edhe goditje të tjera me raketa në Odesa.

Ukraina thotë se ka goditur një anije luftarake ruse

Forcat e armatosura të Ukrainës publikuan të shtunën pamjet që thuhet se tregojnë një anije ruse të shkatërrohej pranë Ishullit të Gjarprit, një ishull i vogël nën kontrollin rus në Detin e Zi.

Ushtria ukrainase tha se një raketë e lëshuar nga një dron ukrainas, Bayraktar TB2, shkatërroi anijen luftarake ruse. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se një dron i armatosur Bayraktar shkatërroi gjithashtu një sistem mbrojtjeje nga raketat në ishull, që ndodhet rreth 130 km në jug të Odesës.

Imazhet satelitore të marra herët të shtunën nga Planet Labs PBC treguan atë që dukej të ishte një anije e klasit Serna pranë plazhit verior të Ishullit të Gjarprit. Ato përputheshin me pamjet video të lëshuara nga ushtria ukrainase që ajo tha se tregonte një dron duke e goditur atë dhe më pas përfshirjen e saj nga flakët.

Goditja e Ishullit të Gjarprit do të pengonte përpjekjet e Rusisë për të kontrolluar Detin e Zi.