Markat gjermane mbeten më të preferuara për shqiptarët për autoveturat që ata përdorin.
Makinat e kompanisë Volksëagen kanë kryesuar në Shqipëri për vitin 2021, duke thyer në këtë mënyrë mitin se shqiptarët preferojnë Mercedes Benz-in.
Gjatë vitit 2021, shqiptarët kanë blerë 13 mijë makina të markës Volkswagen dhe rreth 11 mijë të markës Benz.
Në vend të tretë është Ford, ndjekur nga Toyota, Audi e Opel.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë vitit 2021, në vend u regjistruan 68 mijë e 514 mjete të reja, nga të cilat 58 mijë e 208 janë automjete. Vitin e kaluar u regjistruan 16 mijë automjete më shumë se në 2020-n.
Pjesa më e madhe e mjeteve që janë regjistruar të reja janë në Tiranë, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri. Pjesa më e madhe e mjeteve të regjistruara erdhën nga Italia e Gjermania.
Historia e Volkswagen, “makina e popullit” që u krijua nga dëshira e Hitlerit
Volkswagen, që do të thotë “makina e popullit”, u krijua në vitin 1937, gjatë periudhës naziste të Adolf Hitlerit. Në fillim të viteve ’30, industria gjermane e makinave përbëhej kryesisht nga prodhues të makinave të luksit dhe një gjerman mesatar shumë rrallë mund të përballonte diçka më të shtrenjtë se një motoçikletë. Si rezultat, vetëm 1 nga 50 gjermanë kishte makinë.
I frymëzuar tejmase nga suksesi i jashtëzakonshëm i Henry Ford, Adolf Hitler me besimin se pushteti i industrializimit masiv mund të përmirësonte shoqërinë, kërkoi të nisej ndërtimi i “Volkswagen”, ose “makinës së popullit”.
“Është e vetmja ide e mirë që ka patur Hitleri”, ka shkruar një nga ekspertët më të vjetër të Volkswagen – it, Bernard Rieger në librin “Makina e popullit: Historia globale e “Volkswagen Beetle’”, një histori interesante e mënyrës se si një projekt prestigjioz i nazistëve u kthye në ikonë kombëtare për tri shtete të ndryshme.