“Guardiola nuk mund të bashkëpunojë me lojtarë të cilët kanë karakter pasi ai kërkon gjithnjë të ketë kontroll të plotë në skuadër dhe të jetë vetë lideri”.
Ishin këto fjalët e Patrice Evra, që shkaktuan shumë zhurmë në Britaninë e Madhe, ndërsa edhe Pep Guardiola ka ndjerë nevojën për t’iu kundërpërgjigjur ish-mbrojtësit.
Tekniku spanjoll i Manchester City theksoi se ka bashkëpunuar gjithnjë me lojtarë me personalitet të fortë dhe me karakter ndërsa thumboi Evra duke u shprehur se deklarata e tij lidhet me dëshirën e francezit për të gjetur një vend pune te United.
“Ndoshta Evra ka të drejtë, ose mbase deklarata e tij mund të lidhet me dëshirën për të fituar një vend pune te Manchester United. Unë kam bashkëpunuar me lojtarë të shkëlqyer, nga Barcelona te Bayern Munich dhe tashmë te Manchester City.
Mund t’iu jap një listë të gjatë me emrat e lojtarëve të cilët kanë shumë personalitet dhe karakter. Bëhet fjalë për futbollistë të cilët kanë fituar Kupa Bote, Europiane, Champions League dhe kampionate. Nëse Evra do të ishte me mua në stërvitje atëherë do t’i tregoja pa ngurrim personalitetin e lojtarëve që kam në organikë”, u shpreh Guardiola.