Sipas pritshmërive të sipërmarrësve të sektorëve të ndërtimit, shtrenjtimi i apartamenteve do të vazhdojë edhe në muajt në vijim.
Në vrojtimin e biznesit që bëhet rregullisht me sipërmarrjet nga Banka e Shqipërisë, subjektet e ndërtimit u pyetën për pritshmëritë e tyre për çmimet, raporton Monitor. Referuar përgjigjeve, pjesa dërrmuese mendon se çmimet do të rriten.
Të kontaktuar nga Monitor, ndërtuesit dhanë si arsye kryesore për rritjen e çmimeve rritjen e ndjeshme të lëndëve të para. Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve tha se “Kostot e ndërtimit janë shtrenjtuar nga rritja e çmimeve te materialeve të ndërtimit. Rritja më e madhe ka qenë për hekurin me 80 deri 90% më shumë se vjet. Shpenzimet për hekurin janë rritur 30 deri 40 euro për metër katror ndërtimi. Rritje të çmimeve ka edhe për materialet e tjera të ndërtimit, si: betoni, çimento, dyer dhe dritare alumini. Rritje të larta të çmimeve ka pasur edhe te materialet që përdoren për instalimet elektrike.”
Dervishi tha se kostoja e ndërtimit për apartamentet në periferi ka arritur 600 euro/m2 nga 400 euro që ishte më parë, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para.
Në tremujorin e parë 2022, çmimet mesatare përllogariten në 1,143 euro/m2, me një rritje 3.2% në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Në zonën brenda unazës në kryeqytet çmimet po arrijnë mesatarisht 1,300 euro/m2. Në zonën e Bllokut, çmimet i kanë kaluar 1,600 euro/m2. Edhe jashtë zonës së Unazës, mesatarisht një apartament kushton rreth 1,000 euro/m2.