Bundesliga gjermane ka ulur siparin e sezonit 2021-2022 pasditen e sotme, duke dhënë thuajse të gjithë verdiktet, teksa kampion për herë të 10 radhazi u shpall Bayerni i Mynihut, që mbylli llogaritë e titullit disa javë para fundit.
Në zonën Champions ia dolën të renditen Borussia Dortmund, Bayer Leverkusen dhe Leipzig, ndërsa në Europa League do të shkojnë Union Berlin e Freiburg, me Kolnin që do të garojë në Conference League.
Krahas Europës, u dhanë verdiktet edhe për mbijetesën, me Greuther Furth dhe Arminia Bielefeld që do të zbresin sërish në Bundesligën e Dytë, ndërsa Hertha e Berlinit u rendit në zonën Play Out dhe do të luajë ndeshje shtesë për të siguruar mbijetesën në elitë.
Një moment mjaft emocionues në javën e fundit, ishte padyshim edhe lamtumira e Erling Haaland, me sulmuesin norvegjez që u përshëndet për herë të fundit me fansat e Borussias së Dortmundit, pasi sezonin e ri do të luajë në Premier League, me Manchester Cityn.
Haaland e ka mbyllur me gol aventurën e tij te Dortmundi, në fitoren 2-1 të verdhezinjve kundër Herthës së Berlinit.