Rusia ka bërë kërcënime të reja për të përdorur raketën e saj hipersonike Satan-2 për të goditur Britaninë në vetëm ‘200 sekonda’. Paralajmërimi nga nënkryetari i Komitetit të Mbrojtjes së Rusisë, Aleksey Zhuravlyov, vjen pasi Finlanda është gati të bashkohet me NATO-n dhe Suedia është e vendosur të ndjekë të njëjtin shembull.
“Nëse Finlanda dëshiron t’i bashkohet këtij blloku, atëherë qëllimi ynë është absolutisht legjitim, të vëmë në dyshim ekzistencën e këtij shteti. Kjo është logjike”, tha Zhuravlyov në një intervistë për TV shtetëror Rusia 1, shkruan The Independent.
“Nëse Shtetet e Bashkuara kërcënojnë shtetin tonë, s’ka problem: ja ku është Sarmat [i njohur si Satan-2] dhe do të ketë hi bërthamor nga ju nëse mendoni se Rusia nuk duhet të ekzistojë. Dhe Finlanda thotë se është me SHBA. Epo mirë, vihuni në radhë.”
Muajin e shkuar Rusia testoi raketën e saj të re ndërkontinentale, Sarmat, e njohur gjithashtu si Satan 2.
I pyetur nëse Rusia tani do të zbarkonte armët bërthamore në kufirin e saj me Finlandën, ai tha: “Për çfarë? Nuk kemi nevojë. Ne mund të godasim me një Sarmat nga Siberia dhe madje të arrijmë në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe nëse godasim nga Kaliningrad… koha e arritjes së hipersonikut është 200 sekonda, kështu që vazhdoni…“
“Në kufirin finlandez nuk do të kemi armë strategjike, por të llojit Kinzhal, që do të arrinin në Finlandë për 20 sekonda, apo edhe 10 sekonda”.
Rusia ka shprehur pakënaqësinë e saj për synimin e Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n dhe tha se do të ndërmerrte “hapa hakmarrëse”, si ushtarako-teknike ashtu edhe të llojeve të tjera, në mënyrë që të ndalojë kërcënimet në rritje ndaj sigurisë së saj kombëtare.
Zhuravlyov pretendoi se Finlanda po provokohet për t’u bashkuar me NATO-n nga SHBA dhe Britania e Madhe.
“Finlandezët nuk kanë asgjë për të ndarë me ne. Ata marrin më shumë se 90 përqind gaz, lëndë drusore dhe shumë më tepër nga ne. Kush ka nevojë të luftojë para së gjithash? Finlandezët? Ata nuk kanë frikë se Rusia po i sulmon. Sigurisht, herët a vonë amerikanët do t’i detyrojnë ta bëjnë këtë. Ashtu siç e detyruan Ukrainën ta bëjë këtë, ata po përpiqen të detyrojnë Poloninë dhe Rumaninë. Dhe, siç tregon praktika, ata kanë sukses.”
Zëvendësministri i Jashtëm Alexander Grushko tha se Moska do të marrë masat e duhura paraprake nëse NATO vendos forcat bërthamore dhe infrastrukturën më afër kufirit të Rusisë, sipas agjencisë së lajmeve RIA. Ai shtoi se Moska nuk ka synime armiqësore ndaj Finlandës dhe Suedisë dhe nuk sheh arsye “reale” që këto dy vende t’i bashkohen aleancës së NATO-s.
Në një intervistë me shumë komente dhe akuza, Zhuravlyov pohoi gjithashtu se Shën Petersburgu, vendlindja e Putinit, mund të jetë objektivi i parë i NATO-s në një luftë me Rusinë, duke shtuar se SHBA “do të bëjë gjithçka që është e mundur për të nisur Luftën e Tretë Botërore.”
“Ata [SHBA] do të jenë në gjendje t’ia atribuojnë të gjitha problemet që kanë luftës, siç bënë në Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Botërore. Ata dolën nga kriza e tyre vetëm falë luftës në Europë. Por ekziston një rrezik i madh: kush garanton që raketat bërthamore nuk do të fluturojnë? Unë nuk e garantoj këtë.”
Furnizuesi rus i energjisë RAO Nordic thotë se do të pezullojë dërgesat e energjisë elektrike në Finlandë nga e shtuna, duke përmendur problemet me pagesat ndërsa tensionet midis dy vendeve rriten. Operatori finlandez i rrjetit tha se Rusia siguron vetëm një përqindje të vogël të energjisë elektrike të vendit dhe se ajo mund të zëvendësohet nga burime alternative.
Fingrid tha se nuk priste mungesa të energjisë elektrike si rezultat i mbylljes, pasi vetëm rreth 10% e energjisë elektrike të Finlandës furnizohet nga Rusia.