Gjatë takimit me demokratët në Fier, ish-kryeministri Sali Berisha dënoi deklaratat e Edi Ramës në Bruksel ku tha se Shqipëria do konsiderojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut, nëse rruga drejt anëtarësimit në BE ngec për shkak të ngërçit mes RMV dhe Bullgarisë.
Sipas Berishës, Rama është njësoj si Enver Hoxha dhe Ramiz Alia.
“Kryeministri i Shqipërisë, në Bruksel, deklaron se do presim deri në Qershor dhe nëse nuk na i hapin negociatat atëherë ne do të konsiderojmë drejtimin e vendit, çfarë drejtimi do marrim… Gjenerata e rritur në diktaturë nuk e harron kurrë kur Ramiz Alia, në vitet 90 na thoshte se nuk jemi as Lindje, as Perëndim. Enver Hoxha na çonte nga donte vetë ai, thoshte në aleancën me kinezët, era e Lindjes dominon mbi Perëndimin. Po të shkojmë më tutje, në perandori osmane, të themi atë që është, perandori bënte gjithçka që të mos quheshim shqiptarë, mos e ngatërroni këtë çështjen arnaut, por komb nuk na njihnin, përkundrazi, këta janë otomanët e Europës. Dhe me këtë divizë, Gjuha Shqipe ishte e vetmja gjuhë e dënuar për të mos u mësuar në shkollat osmane.
Pse jua them këtë? Jua them këtë sepse bëri një betejë kundër identiteti tonë. Po kështu Enver Hoxha, Ramiz Alia bënë një betejë, ashtu siç u interesonte interesi politik i tyre. Dhe tani na del Edi Rama. Po ku do shkojmë ne mor zotëri që paske ndërmend ti që të rishohësh drejtimin tonë, drejt Beogradit apo drejt Stambollit? Jo mor zotëri, ne yll polar, Nord, do kemi Bashkimin Europian… Shikoni në ç’kërcënim të madh është interesi ynë kombëtar”, tha Berisha mes të tjerash.
Ish-kryeministri dënoi sërish votën kundër të socialistëve në Kuvend për rezolutën që dënonte gjenocidin në Bosnje, duke e quajtur një turp të madh.