Milani mundi dje Atalantën 2-0 dhe është pranë titullit kampion. Në javën e 37-të të Serisë A, skuadra e Piolit ka mundur pastër Atalantën. ‘San Siro’ ishte plot, si kurrë më parë.
Pjesa e parë ishte e vështirë për Milanin. Për të zhbllokuar rezultatin mendoi i zakonshmi Leao, i cili e kaloi topin në mes të këmbëve të portierit Muso. Goli i tij largoi presionin në radhët e kuqezinjve.
Në minutën e 75-të erdhi edhe kryevepra e Theo Hernandez. Francezi çmendi popullin kuqezi në ‘San Siro’ dhe jo vetëm, duke shënuar një gol të rrallë. Ai mori topin nga gjysmëfusha kuqezi, kaloi gjithë kundërshtarët që i dolën përpara dhe dyfishoi shifrat më një të majtë potente.
Goli i tij do të mbahet mend gjatë. 80 metra sprint me topin në këmbë, pastaj tundi rrjetën e portës së Atalantës për herë të dytë. Për mikrofonat e DAZN, Theo Hernandez u shpreh kështu pas fitores ndaj Atalantës: “Unë bëj gjithçka për këtë ekip. Ishte një mbrëmje vërtet e pabesueshme me tifozët tanë. Më pëlqen të luaj për Milanin”.
Për golin e tij: “U nisa me topin në këmbë nga mbrojtja jonë dhe i thashë vetes se duhej të shkoja deri në fund. Shënova një gol të pabesueshëm. Merita i takon të gjithë ekipit, gjithashtu tifozëve. Ishte një mbrëmje e pabesueshme. Ky është goli më i rëndësishëm i jetës sime. E përsëris, është goli më i mirë i jetës sime, ia kam dedikuar djalit të vogël, që sonte (mbrëmë) ishte për herë të parë në stadium”.