Politika Zgjedhjet lokale, Rama: Duhet t’i fitojmë, edhe pse kemi një opozitë që...

Zgjedhjet lokale, Rama: Duhet t’i fitojmë, edhe pse kemi një opozitë që nuk të sfidon

Edi Rama, këtë herë nën kostumin e kryetarit të Partisë Socialiste ka zhvilluar një takim me këshillin koordinues të PS të Qarkut të Tiranës.

Rama ka kërkuar nga strukturat e partisë që të angazhohen për të fituar zgjedhjet vendore të vitit 2023. Rama theksoi se Tirana është qarku kryesor dhe puna duhet të jenë më e madhe, por edhe në qarqet e tjera ai shprehu dëshirën për të pasur sa më shumë fitore. Rama u shpreh se megjithëse nuk kanë një opozitë që t’i sfidojë, motivimin socialistët duhet t’ia japin vetë vetes.

“Vitin e ardhshëm ne kemi zgjedhje vendore. Për fat të keq u bë më shumë e zakonshme që ne të kemi mbi kokë gjëra të jashtëzakonshme që nuk i zgjedhim vetë, por që faktikisht ndodhi dhe ne duhet të përballemi me to; tërmetin, pandeminë tani këtë situatën tjetër që nuk dihet sa zgjat. Ndërkohë zgjedhjet përsëri janë aty dhe ne duhet t’i bëjmë dhe duhet t’i fitojmë. Sigurisht që për t’i fituar zgjedhjet na duhet që jo vetëm të përsërisim gjithçka të duhur që kemi ditur të bëjmë deri tani, por të shkojmë dhe më tej.

Të vazhdojmë të përpiqemi të bëjmë atë gjë që jemi përpjekur të bëjmë vazhdimisht. Jemi në kushtet kur nuk e kemi një opozitë që të sfidon dhe të motivon për të shkuar në këto drejtime, duhet ta bëjmë vetë dhe duhet ta bëjmë duke parë cilat janë gjërat që nuk kanë funksionuar siç duhet. Tirana është një sfidë e jashtëzakonshme për 1001 arsye dhe për 1001 probleme të jetës së përditshme që janë problemet e një komuniteti shumë të gjerë dhe ne na duhet që edhe për këtë arsye në Tiranë dhe kudo tjetër ne të kemi një parti e cila të ketë njerëz që të shtojmë kapacitetin komunikues të PS në territor.

Ajo që mungon dhe që ne duhet ta shohim me shumë vëmendje është energjia e komunikimit të organizatave. Energjinë do t’ja japi drejtimi i partisë në territor, në bashki, në njësinë bashkiake”, theksoi kryesocialisti Edi Rama.