Aktualitet Fundoset rimorkiatori italian i nisur drejt Shqipërisë, 2 të vdekur dhe 3...

Fundoset rimorkiatori italian i nisur drejt Shqipërisë, 2 të vdekur dhe 3 të zhdukur

Një rimorkiator italian, i cili ishte nisur nga Ankona drejt Shqipërisë, u fundos mbrëmjen e 18 majit në brigjet e Pulias, 50 milje nga Bari, në kufirin midis ujërave italiane dhe kroate.

Sipas asaj që shkruan italiania La Repubblica, 2 persona humbën jetën dhe 3 të tjerë rezultojnë të zhdukur: nga ana tjetër, komandanti u gjet i gjallë gjatë natës dhe u dërgua me urgjencë në spitalin Di Venere në Bari dhe gjendja e tij mësohet se është pa rrezik për jetën.

Autoritetet mësohet po ashtu se shpëtuan 11 personat që ndodhin në bordin e një anije të vogël që tërhiqej nga rimorkiatori.

Aktualisht Roja Bregdetare e Barit po koordinon mjetet ushtarake dhe civile të përfshira në kërkim: pesë anije tregtare, si dhe njësi të ndryshme të Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza. Kërkimet përfshijnë gjithashtu avionë nga Marina, Forcat Ajrore dhe Forcat Ajrore Kroate. Një avion Manta i rojes bregdetare italiane po fluturon aktualisht mbi zonë në kërkim të të zhdukurve.

Autoritetet kroate informuan ato italiane për praninë e dy viktimave të konfirmuara. Tre persona të tjerë janë ende të zhdukur dhe sa më shumë kalon koha aq më shumë zbehen shpresat për të mbijetuar. Mediat italiane thonë se ekuipazhi përbëhej nga katër italianë dhe një tunizian.