Extra Ky frut ul rrezikun nga Alzheimeri

Ky frut ul rrezikun nga Alzheimeri

Thuhet se një mollë në ditë e mban mjekun larg, por në realitet ka një frut tjetër që ka përfitime të pabesueshme për shëndetin tonë, sidomos për të ulur rrezikun e Alzheimerit.

Në fakt, sipas një studimi të fundit të kryer nga Universiteti i Cincinnati, shtimi i boronicave në dietën e përditshme në popullatën e moshës së mesme është treguar se zvogëlon mundësinë e zhvillimit të sëmundjes së demencës.

Studimi i botuar në revistën ”Nutrients” pasqyroi përfitimet nga boronica te njerëzit në rrezik për Alzheimer.

Frutat e boronicës kanë nivele veçanërisht të larta të antocianineve.

Studiuesit u fokusuan te 33 pacientë të moshës 50 deri në 65 vjeç, moshë në të cilën fillon të zhvillohet Alzheimer, të cilët ishin në kushte mbipeshe dhe kishin humbje të kujtesës.

Gjatë një periudhe 12-javore, pacientëve iu kërkua të përmbaheshin nga konsumimi i çdo lloj frutash pylli përveç një qeseje ditore me suplement pluhur boronice për t’u përzier me ujë dhe për ta konsumuar për mëngjes ose darkë.

Më pas, pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve që matën disa aftësi njohëse, si funksionet e kujtesës, fleksibiliteti mendor dhe vetëkontrolli.

Pacientët që konsumuan suplemente me boronicë treguan përmirësime në aftësitë njohëse si të mësuarit dhe kujtesën.

Pjesëmarrësit gjithashtu kishin reduktuar nivelet e insulinës, që do të thotë se ata kishin funksion më të mirë metabolik që mund të djegë më lehtë yndyrën.

Gjithashtu u reduktua stresi oksidativ, i cili mund të çojë në simptoma të tilla si lodhje dhe humbje të kujtesës.