Presidenti i KE-së, Charles Michel tregoi se mbështet Ballkanin e Hapur dhe uroi që të gjithë të bashkohen në këtë nismë.
Sipas tij sa më shumë vende të jenë pjesë e Open Balkan aq më shumë do të forcohen strukturat ekonomike të vendeve.
Për presidentin e KE, Ballkani i Hapur do të mundësojë afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
“Personalisht e mbështes Ballkanin e Hapur dhe uroj që të gjithë të bashkohen në këtë nismë, sepse sa më shumë të jenë, aq më të mëdha do të jenë aftësitë për të bashkëpunuar, për të forcuar strukturat ekonomike. Kjo do ta lehtësojë edhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian”, tha Michel në një konferencë për mediat në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët komentoi se është krijuar një mit i gabuar sikur Gjermania është kundër Ballkanit të Hapur, ndërkohë që ai i referohej vizitës së tij në Berlin dhe deklaratës së presidentit të KE-së që inkurajojnë gjithëpërfshirje.
Michel shtoi gjithashtu se pas disa javësh do të bëhet një mbledhje e presidencës franceze, ndërkohë që Rama u shpreh se për aq kohë sa akoma ka hapësirë që të mendohet se Bullgaria mund t’i hapi rrugë Shqipëria do të presë që të integrohet bashkë me Maqedoninë e Veriut.
Ish-kryeministri belg tha gjithashtu se e kupton qëndrimin e Ramës për të kërkuar ndarjen e procesit të integrimit nga Maqedonia e Veriut, nëse dy vendet nuk nisin negociatat në qershor. “Natyrisht që në Shqipëri ka padurim për të nisur negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Unë jam i angazhuar plotësisht për të zgjidhur vështirësitë. Ne do ta bëjmë vlerësimin në muajin qershor. Nëse kjo nuk ndodh, duhet ta rishohim situatën. Pozita e kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe e përligjur”, tha Michel.
Më pas Rama theksoi se nëse kjo çështje nuk zgjidhet dhe me presidencën franceze atëherë do të “jemi në të drejtën tonë për të kërkuar të dalim nga rrezja e konfliktit të Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut”.