Nuredin Dumani, ishte i pari që doli përballë Gjykatës së Posaçme dhe SPAK për autorësinë e ngjarjeve që vetë rrëfeu. Në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, në ambientet e Spitalit, Dumanit iu verifikua masa e sigurimit “Arrest në burg”.
Me forca të shtuara të Policisë, në ambientet e Gjykatës, i veçuar nga grupi tjetër, Henrik Hoxhajt iu caktua po e njëjta masë si mikut të tij Dumani. Të dy nuk dhanë asnjë shpjegim shtesë për Gjykatën.
Ndërsa efektivi i Policisë Leonard Palushi, kërkoi të veçohej nga pjesa tjetër dhe ndryshimin e masës së sigurisë, duke shtuar se familjes së tij i rrezikohej jeta.
Leonard Palushi: U kërkoj autoriteteve të marrin në mbrojtje familjen time. Kam një jetë që kam vënë veten në rrezik në operacione të ndryshme përfshirë goditjen e kultivimit të drogës apo arrestime të personave të rrezikshëm. Kam dy fëmijë të mitur të cilëve iu duhet siguruar jeta. Nuk kam asnjë lidhje me grupe kriminale apo persona të tillë.
Seanca për verifikimin e masës së sigurisë vijon në Gjykatën e Posaçme për 15 personat e tjerë, ndërkohë për shtetasin Ilir Feçi, masa do bëhet një ditë tjetër pasi burgu i Shën Kollit solli gabimisht në Gjykatë një person tjetër.
Dy javë pas arrestimit, Nuredin Dumani, personazhi i cili ishte ura lidhëse e disa grupeve kriminale, nxori emra të fuqishëm të botës së krimit, si Suel Çela, Ervis Martinaj, Florenc Çapja, Talo Çela, Kamber Mehja, si porositës disa krimeve, me vlera monetare që shkonin nga 30 mijë deri në 500 mijë euro.