Presidenti Ilir Meta në konference për shtyp nga ambientet e Presidencës theksoi pikat e Raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, të miratuar pak ditë më parë.
“Në këtë rezolutë janë diagnostifikuar të gjitha problemet që deri tani e kanë bërë të pamundur përparimin europian të vendit dhe çeljen e negociatave”, u shpreh Meta.
“Votimi në parim i kësaj rezolute tregon një qasje të PE-së për të përkrahur politikën e zhvillimit edhe në kushtet e luftës në Ukrainë, megjithatë i ka evidentuar të gjitha problemet kritike Shqipërisë”, shtoi ai.
Meta tha se pavarësisht “prapambetjes skandaloze të vendit”, mbështet çeljen e negociatave me BE-në, pasi “populli e meriton.
Meta theksoi problemet e demokracisë, lirisë së medias e shprehjes, problemet e pluralizmit politik, paralizimin e shtetit të së drejtës, zbatimi i vetingut dhe reforma në drejtësi, korrupsionin “e jashtëzakonshëm”.
“Fakti që përmendet regresi i Shqipërisë me 26 vende në 5 vjet sa i takon indeksit të korrupsionit është një fakt shumë domethënës, fakti që evidentohet regresi sa i takon indeksit të lirisë së mediave nga Reporterët pa Kufij, është po ashtu tregues”, u shpreh Meta.
Meta tha se PE u kërkon figurave politike të ndalojnë “sulmet verbale, fushatat e shpifjeve dhe aktet e frikësimit ndaj gazetarëve”.
“PE rithekson paketën antishpifje të propozuar më parë dhe se mediat duhet të rrisin transparencën dhe decentralizimin, ku në asnjë mënyrë nuk duhet të pengojë aksesin e barabartë të gazetarëve nga informacionet e burimeve qeveritare. Gjithashtu, PE i bën thirrje qeverisë të përmirësojë aksesin në raportimin dhe shqyrtimin e punës së saj përmes kanaleve zyrtare dhe formale si konferencat për shtyp dhe intervistat. PE shpreh shqetësimin serioz për rrjedhjet masive të të dhënave personale”, theksoi Meta.
Meta u bëri thirrje qeverisë, opozitës e shoqërisë civile që të fokusohen te përmbajtja e kësaj rezolute.
Ai tha se çdo rishikim i ligjeve të mediave nga Kuvendi duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias e cila duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse.