Mbajtja veshur e një jeleku antiplumb që u sekuestrua më pas në banesën, ku u arrestua Nuredin Dumani i ka shpëtuar jetën këtij të fundit, në ngjarjen e 29 Marsit të ndodhur në kryqëzimin e Papërit në Elbasan.
Pavarësisht mbrojtjes ai ka mbetur i plagosur ndërsa sulmi është bërë shkak për nisjen e operacionit policor. Pikërisht nga ky plumb, mori dhe emrin operacioni “Plumbi i Artë”
Dumani kishte dalë në 26 dhe 29 Mars në Elbasan, për të vrarë Elton Kilën ose siç njihet ndryshe në Elbasan “Oti”, i cili është shok i ngushtë i Suel Çelës.
I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare dhe pjesëmarrës në disa ngjarje të rënda, ka treguar se porosinë për vrasjen, e kishte marrë nga Suel Çela, nëpërmjet një bisede që kishte zhvilluar me të në aplikacionin “Matrix”. Por nga verifikimet e kryera në TIMS, objektivi i tyre Elton Kila, rezulton të jetë larguar me familjen mëngjesin kur do të realizohej atentati, duke udhëtuar nga Rinasi në drejtim të Gjermanisë.
Miku i Dumanit Henrik Hoxhaj, është endur për disa orë në hyrje të Elbasanit për të pikasur Otin, ndërsa Dumani, qëndronte në gatishmëri në zonën e Papërit, në pritje të një mesazhi konfirmimi për lëvizjen.
Dyshohet se e gjitha kjo skemë, ka qenë kurth, pasi vetë Dumani ishte objektivi i këtij atentati, duke u sulmuar befasisht nga tre persona ku është qëlluar plot 9 herë me automatik duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Vetë Dumani, nuk ka mundur të bëjë asnjë lëvizje, pavarësisht se brenda në makinë tip BMWx5 ku qëndronte kishte 2 automatikë kallashnikov, një pistoletë Izraelite dhe 1 pistoletë “TT”.
Ai është transportuar nga Henrik Hoxhaj në drejtim të Fierit, dhe në darkën e asaj nate, të dy personat janë arrestuar nga RENEA.
Tashmë prita u kthye në rrëfimin që solli 32 të akuzuar nga të cilët 14 janë në kërkim.