Kryesore Berisha voton për kreun e PD: Shqiptarët shohin sot dritën e shpresës...

Berisha voton për kreun e PD: Shqiptarët shohin sot dritën e shpresës për të ardhmen

Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij kanë votuar në Selinë e Partisë Demokratike në zgjedhjet për kreun e ri të kësaj force, ku dy emrat në garë janë ai i ish-kryeministrit dhe liderit historik të demokratëve dhe Ibsen Elezi.

Pasi hodhi votën e tij, Berisha u shpreh se krahasuar me procesin mafioz të zgjedhjes së presidentit, këto zgjedhje në PD janë shumë të rëndësishme për vendin dhe shtoi se në to shqiptarët shohin dritën e shpresës për të ardhmen.

“Së pari, përshëndes demokratët, komisionerët e 108 qendrave të votimit në Shqipëri dhe iu uroj të marrin pjesë të gjithë në këtë proces historik, jo vetëm për PD, por për të gjithë vendin dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë për kandidatin që duan. Ky është një proces që finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre, por sepse është një proces që zhvillohet paralel nga një proces mafioz, ai i zgjedhjes së presidentit të republikës. Është mafioz sepse bazohet mbi grabitjen e votës së shqiptarëve dhe bashkëpunimit të shpifur të Edi Ramës me pseudo-opozitën. Sot në këtë proces shqiptarët shohin dritën e shpresës për të ardhmen. Nuk ka vendim që mund të ndalë këtë mision historik të demokratëve shqiptarë”, tha Berisha.