Trofeu i Kupës së Botës mbërriti sot në Tiranë. Ajo u pritet me një ceremoni në Aeroportin e Rinasit.
Së bashku me trofeun në Tiranë erdhi edhe një personalitet i futbollit botëror si Gilberto Silva. Ai u prit nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi.
Trofeu pritet të ekspozohet në ambientet e Kryeministrisë.
Turneu i Trofeut të FIFA World Cup do të ndalet në 51 vende dhe territore, për të vizituar secilën prej 211 shoqatave anëtare të FIFA-s deri në vitin 2030.
Për herë të parë, turneu do të vizitojë të 32 vendet që u kualifikuan për Kupën e Botës, duke frymëzuar tifozët në mbarë botën.
Gilberto Silva: Në këtë vend futbolli merr frymë
Së bashku me Kupën e Botës erdhi edhe një personalitet i futbollit botëror si Gilberto Silva, i cili është ambasador i trofeut. Ai pati një fjalim në mbërritjen në Rinas.
“Është një kënaqësi e madhe që të jem këtu në Tiranë, në Shqipëri, në këtë vend, ku futbolli merr frymë, siç fola me zotin kryetar dhe ku patëm një bisedë ku folëm pak për futbollin, për politikën dhe i uroj shumë fat për detyrën e tij dhe për gjithçka që po bën. Është një rast shumë i mirë për ne që të jemi për trofeun e Kupës së Botës. Kur flasim për trofeun e Kupës së Botës ne mendojmë për ëndrrat, për frymëzimin, flasim për magjinë dhe loja e futbollit na sjell të gjithëve bashkë sepse futbolli ka mundësinë për t’i bërë njerëzit bashkë, për t’i bërë ata që të jenë qytetarë më të mirë. Duhet të përpiqesh çdo ditë për të qenë më i mirë për të marrë rezultat. Për shkak të futbollit jam këtu për t’ju takuar. Është kënaqësi e madhe dhe shpresoj të vij sa më shpesh të shikoj ndeshjet e futbollit dhe ta shijoj më shumë qytetin. Shpresoj që kjo ndalesë këtu, shpresoj t’ju frymëzojë të gjithë, gjeneratat e ardhshme, në sport, në jetë, për t’i bërë ëndrrat e tyre realitet. Këtu jemi për të dhënë më të mirën tonë për ju. Shpresoj të gjithë ta shijoni sepse edhe ne do ta shijojmë shumë çdo moment këtu. Në fund do doja t’ju uroja të gjithëve shumë fat dhe shijojeni jetën”, u shpreh Gilbero Silva.