Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias kërcënoi vendin tonë kur në takimin me homologen e tij, Olta Xhaçka, iu përgjigj ashpër kërkesës së ministres shqiptare për të zgjidhur çështjen e pronave të komunitetit çam.
Greqia është gati të ndërmarrë masat për abrogimin e ligjit të luftës, por deri këtu. Çështja e pronave dhe e të drejtave të njeriut të komunitetit çamë nuk pranon t’i verë në tryezë diskutimi.
Për Athinën zyrtare nuk duhen krijuar çështje që nuk janë ekzistuese dhe që do të çojnë në pasoja të niveleve të shumëfishta ku Greqia do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë me itinerarin e Shqipërisë në Europë.
Këtë la të kuptojë ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias në deklaratën për median pas takimit me ministren e jashtme të Shqipërisë paraditen e 23 majit 2022, në ministrinë e Jashtme.
Në Hagë për detin
Ministri i Jashtëm i Greqisë tha se kishte udhëtuar drejt Tiranës edhe për ti komunikuar kryeministrit Edi Rama vendimin e Athinës zyrtare për përcjelljen e çështjes së delimitimit të zonave detare dhe të shelfit kontinental në Hagë.
“Kjo është mënyra e duhur dhe e saktë për të zgjidhur divergjencat tona”, nënvizoi ministri Dendias duke vuri theksin tek përshpejtimi i hapave për të depozituar sa më shpejt dokumentet në Gjykatën e Hagës.
Abrogimi i ligjit të luftës, çështja e pronave nuk ekziston
Por duket se konstruktiviteti dhe vullneti i mirë për të kërkuar një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në një çështje kaq të vështirë sa ajo e hapësirave detare, nuk është për çështje të tjera.
Deklaratës së Xhaçkës se shpresonte se dakordësia ishte shembull i qasjes konstruktive me të cilën vendet tona mike mund të fillonin diskutimet edhe për çështje të tjera, siç është nevoja për të abroguar Ligjin e Luftës, apo çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam, ministri Dendias u shpreh i prerë se këto çështje nuk ekzistojnë.
Olta Xhaçka: Ne besojmë dhe shpresojmë që konstruktiviteti dhe vullneti i mirë për të kërkuar një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në një çështje kaq të vështirë sa ajo e hapësirave detare, mund të shërbejë si një shembull i qasjes konstruktive me të cilën vendet tona mike mund të fillojnë diskutimet edhe për çështje të tjera, sado të vështira që kemi trashëguar nga historia e nga periudha tragjike e Luftës së Dytë Botërore, siç është nevoja për të abroguar Ligjin e Luftës, apo çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam.
Nikos Dendias: Marrëdhëniet tona janë zhvilluar shumë mirë, madje abrogimi i ligjit të luftës është diçka që duhet të shkëputemi, e të bashkëpunojmë që pikat historike për abrogimin e tij të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur. Dua të jem i çiltër me ju. Duhet të diskutojmë mbi çështje praktike, që kanë të bëjnë me palën greke. Ne mendojmë se nuk janë gjërat siç paramendohem. Të mos krijojmë çështje që nuk janë ekzistuese pasi do na çojë në pasoja të nivelit të shumëfishta ku Greqia do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë me intenerarin tuaj në Evropë.
Ndërsa u ra dakord që të vendosen në një itinerar zgjidhjesh problematikat e komunitetit shqiptar por dhe minoritetit grek në Shqipëri.
Dendias: Ne konsiderojmë se minoriteti grek këtu dhe komuniteti grek në Greqi përbëjnë një urë lidhëse mes dy vendeve. Prandaj duhet të diskutojmë për këto grupe. Çështja e pensioneve, ne ramë dakord që të diskutojmë dhe t’i vendosim në një itinerar zgjidhjesh. Kisha gëzimin që të takoj anëtarë të minoritet grek të Himarës dhe më dhanë zërin e tyre për problematike të tyre, të cilat duhet t’i diskutojmë së bashku.
Ministri i Jashtëm grek ndodhet në Tiranë dhe në kuadër të javës greke ndërsa shtoi se pas Tiranës do të vijojë turin në Ballkanin Perëndimor.