Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat pasi edhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit u ezaurua në Kuvend pa ndonjë emër kandidati. Rama u shpreh se mazhoranca nuk ka një emër kandidati pasi nëse do ta kishte një të tillë do ta kishte propozuar. Megjithatë, ai u shpreh se zgjidhja për këtë situatë është një njeri i cili përmbush detyrimet dhe normalizon raportin e Presidentit me Kushtetutën.
Rama theksoi se gjatë procesit për zgjedhjen e presidenti është bërë e qartë që mazhoranca “s’ka partnerë”.
“E kam shpjeguar disa herë. Merren me profilin ata që nuk duan të merren me zgjidhjen. Zgjidhja është një njeri i cili të përmbushë detyrimet që ne kemi karshi shqiptarëve për ta çliruar atë zyrë nga kthetrat e së shkuarës dhe për ta normalizuar raportin e Presidentit me Kushtetutën.
Po të kishim vendosur do ta kishim shpallur. Ne nuk kemi vendosur asgjë. E kemi ndjekur procesin me durim, duke dëgjuar të gjithë, duke dëgjuar lloj-lloj çudish, por kemi gjithmonë e të shumë të qartë që s’kemi partnerë. S’ka partnerë.
Politika është ndërveprim, politika është dialog, politika është shah dhe në gjithë atë që politika është fjala nuk kam besim dhe po ikim në drejtim të paditur nuk është politikë. Kam sjellë disa herë shembullin tonë në opozitë. Kemi pasur dy zgjedhje, një zgjedhje kur nuk i kishim votat, por kishim mjaftueshmërisht vota për ta ulur në tryezë palën tjetër dhe një zgjedhje tjetër kur nuk kishim vota dhe kishim sistemin si sot. U ulëm diskutuam. Nuk humbëm në atë proces. Humbi zyra e presidentit, humbi institucioni, por nuk humbëm ne.
Do presim në raundin e tretë dhe pastaj nëse do jetë përsëri i njëjti rezultat do mblidhemi dhe do flasim me përfaqësuesit e Kryesisë, më pas me grupin parlamentar dhe do të marrim vendimin. Nuk do e lëmë vendin pa president”, tha Rama.