Kryeministri Edi Rama e ka quajtur “lajm të rreme” një informacion të publikuar në media për rikthimin e taksave për biznesin e vogël.
“Një LAJM I RREMË ka marrë dhenë: Rama do të taksojë biznesin e vogël! Ne jemi partia që e bëri Shqipërinë të vetmin vend në Europë me taksë zero e me TVSH zero për Biznesin e Vogël dhe kjo (e kemi thënë) nuk do të ndryshojë deri në vitin 2029! Të tjerat janë tutkunërira mediatike!” – shkroi Rama në Twitter.
Ishte Euronews Albania që raportoi se ka siguruar ekskluzivisht projektligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat, i cili sipas tij vendos një mënyrë të re taksimi për individët, profesionet e lira dhe bizneset.
“Bizneset e vogla me xhiro deri në 10 milionë lekë në vit do t’u taksohen të paktën 10% e të ardhurave të tyre. Përjashtim nga kjo taksë do të bëjnë vetëm ata që janë të vetëpunësuar dhe nxjerrin një pagë minimale prej 40 mijë lekë të rinj në muaj.
Në bazë të fushës ku do të operojnë bizneset e vogla, qeveria do të tatojë 40% të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese, 20% të tregtisë me shumicë, 30% të asaj me pakicë dhe transportit individual, 40% për baret dhe restorantet, 50% artizanët dhe 65% të të ardhurave për veprimtaritë e pavarura apo profesionet e lira.
Kush do të marrë deri në 2.4 milionë të ardhura në vit do të tatohet 13%, 23% ata që do të realizojnë 2 milionë e 401 mijë lekë deri në 24 milionë lekë në vit dhe 28% personat mbi 24 milionë lekë në vit.
Nëse një artizan realizon 60 mijë dollarë xhiro në vit, ai do të paguajë 23% taksë për 30 mijë dollarët që nuk konsiderohen shpenzim, ose 6900 dollarë në vit.
Dy shkallët tatimore të vetme që nuk do të ndryshojnë janë dividenti që tatohet 8% dhe korporatat e mëdha 15%.
Janë afro 50 mijë biznese që realizojnë xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë në vit, ndërsa si profesione të lira numërohen 80 mijë individë.
Qeveria përjashtoi në janar të vitit të shkuar biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit nga tatimi mbi fitimin dhe ata me të ardhura deri në 10 milionë nga TVSH-ja” – thuhet në lajmin e Euronews Albania.