Politika Kërcënimi që bëri në Tiranë për çështjen çame, ministri i Jashtëm grek...

Kërcënimi që bëri në Tiranë për çështjen çame, ministri i Jashtëm grek shpjegohet në Athinë

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka folur për vizitën që zhvilloi në Shqipëri dhe për deklaratën që bëri zhurmë për “çështjet që nuk ekzistojnë”.

Gjatë konferencës së përbashkët, ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka, deklaroi se shpreson që Shqipëria dhe Greqia të diskutojnë me një qasje konstruktive jo vetëm çështjen e kufirit detar, por edhe çështje të tjera të vështira si ligji i luftës apo dhe çështja çame.

Pikërisht çështjes çame, Dendias u përgjigj me një kërcënim: “Duhet të mos krijojmë çështje që nuk janë ekzistuese sepse kjo gjë do të na çojë në pasoja të shumëfishta, ku Greqia pastaj do të vendosë çështje të tjera që mund të ndikojnë në itinerarin tuaj në Europë”.

Në një intervistë për “Skai”, ministri i Jashtëm grek përsëriti se bëhet fjalë për “një çështje që nuk ekziston” dhe shtoi se përgjigjen e dha në moment, “që të mos kishte keqkuptime”.

Gjithashtu, shtoi se në takimin që pati me kryeministrin Edi Rama, përshtypja ishte se vizita e tij në Shqipëri ishte “jashtëzakonisht e suksesshme”.

“Përgjigjja është dhënë dhe nuk ka keqkuptime nga asnjëra palë. Nuk mendoj se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi do të mbahen peng nga ajo çështje në veçanti, që pala greke e quan me të drejtë joekzistuese”, tha Dendias.

Kur u pyet nëse Greqia mund të vendosë veton ndaj Shqipërisë për negociatat për integrimin, Dendias u përgjigj: “Nuk dua që të flas për qëndrime në lidhje me çështje hipotetike. Shqipëria ka bërë zgjedhjen e saj, që është Bashkimi Europian, dhe rrjedhimisht edhe partneriteti me Greqinë. Shqipëria i qëndron kësaj zgjedhjeje, me të gjitha politikat që ajo përfshin”.