Histori Vrasja e Jul Cezarit: Historia e krimit më të famshëm të botës...

Vrasja e Jul Cezarit: Historia e krimit më të famshëm të botës antike

Vrasja e Jul Cezarit

Më 15 mars të vitit 44 p.e.s Jul Cezari, “diktator për jetë” i Republikës Romake, vritet nga senatorët gjatë një takimi në sallën e Teatrit Pompei, Romë.

Në komplot morën pjesë rreth 60 fisnikë, përfshi edhe personin për të cilin Cezari ishte kujdesur aq shumë, Marcus Brutus. Cezari kishte në plan të largohej nga Roma për një betejë më 18 mars dhe kishte emëruar anëtarë besnikë të ushtrisë për të qeverisur republikën në mungesë të tij.

Kjo i zemëroi senatorët, dhe shpejt, bënë plan për ta vrarë. Kur hyri në sallë, Cezari u rrethua nga senatorët që mbanin thika e shpata. Goditja e parë i erdhi në qafë, pastaj senatorët e tjerë të gjithë u bashkuan duke e goditur në mënyrë të përsëritur në kokë.

Jul Çezari është figura më e famshme antike e Romës. Një politikan dhe gjeneral brilant, arritjet dhe ndikimi i tij ishin aq domethënëse sa që në gjuhë të tjera ka fjalë që rrjedhin nga emri i tij si “sundues”, “kaiser” në Gjermani, “car” në Rusi.

Ai madje kishte edhe muajin e tij “quintilis”, muaji në të cilin Çezari lindi, që mori emrin Julius (July), Korrik, në nder të tij.

Historia e krimit më të famshëm të botës antike

Nikolau i Damaskut e shkroi rrëfimin e tij për vrasjen e Çezarit disa vite pas ngjarjes. Ai nuk ishte në fakt i pranishëm kur ndodhi vrasja, por kish patur mundësinë të fliste me ata që kishin qenë aty. Ai ishte mik i Herodit të Madh dhe mblodhi informacione gjatë një vizite në Romë. Mendohet që rrëfimi i tij të jetë i besueshëm.

PLANI

“Komplotuesit nuk u takuan asnjëherë haptas, por ata u mblodhën disa herë në shtëpitë e njëri-tjetrit. Pati shumë diskutime dhe propozime, siç mund të mendohet, ndërkohë që ata shqyrtonin se si dhe ku ta ekzekutonin planin e tyre.

Disa sugjeruan që ta bënin atentatin ndërkohë që ai shëtiste përgjatë Rrugës së Shenjtë, që ishte një prej shëtitjeve të tij të preferuara.

Një tjetër ide ishte që të kryhej gjatë zgjedhjeve, në një rast ku do të kalonte një urë për të shkuar dhe emëruar magjistratët në Kampus Martius; ata duhej të caktonin shuma për disa që do ta shtynin nga ura, dhe të tjerë që do të shkonin ta vrisnin. Një plan i tretë ishte që të pritej për një shfaqje gladiatorësh.

Avantazhi i kësaj do të ishte se, për shkak të shfaqjes, nuk do të kishte dyshime nëse do të vërehej prania e armëve para atentatit. Por, shumica ishte që ai të vritej ndërkohë që qëndronte ulur në Senat, aty ku do të ishte i vetëm, pasi josenatorët nuk do të pranoheshin, dhe ku komplotuesit e shumtë do të fshihnin kamat poshtë veshjeve. Ishte ky plani që fitoi”.

Jul Cezari

BRUTI BIND CEZARIN: “…miqtë e tij ishin të alarmuar nga disa zëra që kishin dëgjuar dhe u përpoqën ta ndalojnë që të shkojë në Senat, ashtu si bënë edhe doktorët, pasi ai vuante nga marramendjet e herëpashershme. E shoqja, Kalpurnia, e cila ishte e trembur për shkak të disa ëndrrave që kish parë, iu qep pas dhe i tha se nuk do ta lejonte të dilte atë ditë.

Por Bruti, një prej komplotuesve që atëherë mendohej se ishte një mik i tij i ngushtë, erdhi dhe i tha: ‘Ç’është kjo, Çezar? A mos nuk je burrë që i kushton vëmendje ëndrrave të një gruaje, si dhe thashethemeve të budallenjve, e të fyesh Senatin duke mos dalë, megjithëse ai të ka nderuar dhe është mbledhur posaçërisht për ty? Më dëgjo mua, lëri mënjanë parandjenjat e të gjithë këtyre njerëzve dhe eja. Senati ka që në mëngjes në seancë, duke të pritur’. Kjo e bindi Çezarin dhe ai u nis”.

SULMI: Senati u ngrit në këmbë në respekt të postit të tij kur e panë të hyjë. Ata që kishin pjesë në komplot qëndruan pranë tij.

Ngjitur me të shkoi Tiliu Cimber, vëllai i të cilit ishte dëbuar nga Çezari. Nën pretekstin e një kërkese modeste nga vëllai, Cimberi u afrua dhe e kapi nga manteli, me sa duket për të treguar një gjest edhe më pozitiv. Çezari donte të ngrihej dhe të përdorte duart, por nuk u lejua nga Cimberi dhe nisi të shfaqë irritim. Ky ishte momenti që të tjerët të ndërhynin.

Të gjithë nxorën me shpejtësi kamat dhe nxituan drejt tij. I pari, Servilius Kaska e goditi me majën e kamës në shpatullën e majtë, pak mbi klavikul. Ai kish shënjestruar pikërisht klavikulën, por në nxitim e sipër nuk ia doli. Cezari u ngrit për t’u vetëmbrojtur, dhe nëpër poteren e krijuar Casca i thirri në greqisht vëllait. Ky e dëgjoi dhe i nguli kamën e tij në brinjë. Pas një momenti, Kasiusi e preu në fytyrë dhe Decimus Bruti e goditi në ijë. Ndërkohë që Kasius Longinus përpiqej t’i jepte një tjetër goditje, i shkau dora dhe goditi Markus Brutin në dorë. Minuci gjithashtu nuk qëlloi dot në trupin e Cezarit dhe goditi Rubriusin në kofshë. Ishin disa burra që bënin betejë kundër tij.

U godit 23 herë.

Pas gjithë plagëve të marra, ai u shemb në këmbët e statujës së Pompeit. Të gjithë dukej se donin që të kishin kontributin e tyre në vrasje, dhe nuk mbeti asnjëri pa i dhënë nga një goditje në trup, ndërkohë që ai rrinte aty shtrirë deri kur, i plagosur tridhjetë e pesë herë, mori frymë për herë të fundit”.

Bruti dhe fantazma e Cezarit (1802), pikturë e Richard Westall

Edhe ti, Brut?

Diçka është e sigurtë. Jul Cezari nuk e tha frazën e famshme: “Edhe ti, Brut? Dijetarët thonë se fraza latine “Et tu, Brute?” arriti në kohët tona ndoshta falë Uilliam Shekspirit i cili e përdori atë në tragjedinë Jul Cezari (1599). Shprehja pason traditën e historianit romak Suetoni, i cili thotë se “Et tu, Brute?” është kalk e një greqishteje “Kai su, teknon?”- “Edhe ti, biri im?” dhe merret si tregues se Bruti ishte djalë jashtë-martese i Cezarit. Ndërsa, Plutarku thotë se Cezari nuk foli fare por kur pa Brutin mes komplotistëve, mbuloi kokën me pelerinën e vet dhe e la ta godiste.