Qindra banorë të Lituanisë po mbledhin fonde për të blerë një dron të avancuar ushtarak për Ukrainën që do ta ndihmonte atë në luftën kundër Rusisë. Veprimi ndërmerret në shenjë solidariteti me një vend tjetër ish-sovjetik, që ndodhet aktualisht nën agresionin e Moskës.
Rreth 3 milionë euro janë mbledhur në vetëm tre ditë, kryesisht në shuma të vogla, njoftojnë mediat në Lituani. Për blerjen e një droni luftarak “Bayraktar” nevojiten rreth 5 milionë euro.
“Para se të fillonte lufta, askush nuk mendonte se do të blinim armë. Por tani kjo është një gjë normale. Duhet bërë diçka që bota të përmirësohet. Kam dhënë ndihmë financiare për blerjen e armëve për Ukrainën për një kohë të gjatë dhe do ta bëj këtë deri në fitore”, thotë 32-vjeçarja Agne Belickaite, e cila ofroi 100 euro menjëherë pas fillimit të fushatës për mbledhjen e fondeve. Ajo thotë se është e motivuar pjesërisht nga frika se Rusia mund të sulmojë Lituaninë.
Droni ka qenë efektiv në vitet e fundit kundër forcave ruse dhe aleatëve të tyre në konfliktet në Siri dhe Libi, dhe blerja e tij po realizohet nga Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë, e cila ka në plan t’i dërgojë një letër Turqisë për synimet e saj për të blerë dronë.
Ukraina ka blerë më shumë se 20 dronë luftarakë “Bayraktar TB2” nga kompania turke Baykar në vitet e fundit dhe ka porositur 16 të tjerë më 27 janar, dronë të cilët i mori në fillim të marsit.
“Ndërsa qeveritë e vendeve më të mëdha të botës vijojnë me diskutimet pa fund, shoqëria lituaneze thjesht po organizohet për të mbledhur fonde për blerjen e një droni që kushton 5 milionë euro. Ky është një mesazh mbresëlënës për botën”, thotë zonja Belickaite.
Lituanezët janë të shqetësuar për luftën në Ukrainë, thotë zëdhënësja e kanalit televiziv “Laisves”, Zivile Tiskeviciute.
“Lituanezët duan t’i bashkohen luftës dhe për këtë arsye ata po mbledhin fonde për blerjen e dronëve luftarakë “Bayraktar”. Ata shpresojnë se kjo do të ndihmojë në përfundimin më të shpejtë të luftës atje dhe janë të inkurajuar të kontribuojnë për blerjen e tyre”, thotë ajo.
Shumica e armëve të rënda që vendet e NATO-s kanë dërguar në Ukrainë deri më tani janë armë të prodhimit sovjetik që zotëroheshin nga vendet anëtare të NATO-s që shtrihen në Evropën Lindore. Së fundmi, vendet e perëndimit kanë filluar ta furnizojnë Ukrainën edhe me artileri të rëndë./VOA