Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është përfshirë në debate me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla këtë të hënë gjatë seancës plenare. Shkak ishte kandidatura e Simon Mirakajt në Autoritetin e Verifikimit të Dosjeve, por vijoi më tej me akuza mes palëve.
Sali Berisha: Në një akt të shëmtuar, sot refuzuat Simon Mirakajn, njërin nga ikonat e vuajtje, persekutimit, disident nga një familje e shkëlqyer dhe në një kombinim individësh që i lidh krimi, i fshinë emrin për të shkuar komisioner në Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Diskriminimi juaj ndaj qytetarëve është i pakufishëm.
Taulant Balla: Meqenëse u përmend rasti i një vendimmarrje të një Komisioni të Çështjeve ligjore, ditën e premte dua të theksoj se komisioni ka marrë vendimin e duhur. Ajo që dua të sqaroj për zotin Mirakaj e kam thënë para pak publikisht, ne nuk kemi asgjë me kandidaturën e zotit Mirakaj. Jemi të gatshëm ta votojmë përsëri nëse nga lista e propozuesve të zotit Mirakaj për Bordin e Autoritetit hiqet emri i katranit me bojë. Do ishte fyerje në radhë të parë për Zotin Mirakaj që Kuvendi i Shqipërisë ta votonte ku pjesë e propozuesve është vetë katrani. Është njëlloj sikur ne të pranojmë se ky katrani dhe Sigurimi i Shtetit janë njëlloj. Anti-amerikanë dhe minim demokracie. Këto bënte Sigurimi i Shtetit, këto bën katrani.
Më pas, ishte Balla, ai që akuzoi Berishën se kërkon që të mbjellë ndasi mes veriut dhe jugut. Kreu i grupit parlamentar socialist mori shembull investimet e qeverisë “Rama” në Tropojë. Ndërkohë Berisha u shpreh se Balla është “mashtrues ordiner” dhe renditi punët që qeveria “Berisha” ka bërë gjatë mandatit të saj në qarkun e Tropojës.
Taulant Balla: Sa i përket përpjekjes tashmë shumëvjeçare për të mbjellë ndasi mes veriut dhe jugut të Shqipërisë, për të krijuar sikur këtu ka ndarje mes veriut dhe jugut, për të kritikuar qeverinë se paskësh lenë pas dore veriun, mendoj se shembulli më domethënës janë investimet e kësaj qeverie në Tropojë. Ftoj këdo, çdo deputet të marrë pamjet si ishte Bajram Curri në vitin 2013 dhe si është sot. Si sihte rruga në 2013 dhe si është sot. Le t’i krahasojmë. Merreni pyeteni ish-kryetarin e Bashkisë se ka qenë i PD, sa investime more përgjatë vitit 2015-2019 dhe sa more kur le mandatin e deputetit 2011-2015. Prirja 30-vjeçare e një individi për ta ndarë Shqipërinë copash për interesa personale, ka marrë fund. Ne jemi për një Shqipëri të bashkuar, jo të ndarë. Prandaj çdo ditë të punës sonë duam që çdo shqiptar ta shohim njëlloj. Nuk ka asnjë dallim nëse është socialist apo demokrat. Jemi duke punuar për të siguruar investime në çdo cep të territorit.
Sali Berisha: Normalisht një mashtruesi ordiner i thuhet kur s’ke turp thua gjithçka. Por për hir të qytetarëve unë do sqaroj këtu, në vitet 2006-2013 në Tropojë nga Qafë Mali në Bajram Curr, nga Sopoti në Golaj, nga Sopoti në Qafë Morinë, nga Bajram Curri në Lekbibaj, nga Bajram Curri në Valbonë, janë ndërtuar apo rindërtuar gjithsesj 280 kilometra rrugë. Nga këto po rikujtoj rrugën Qafë Mali-Fierzë e rindërtuar plotësisht, rrugën Lekbibaj, ka përfunduar në verë 2013. Rruga e Kërnajës-Ballabanit ka përfunduar në vitin 2013. Rruga e Valbonës pati probleme, por përfundoi 80% e saj në vitin 2013. U ndërtua ujësjellësi i Dunishës, Pallati i Sportit ndër më të bukurit në vend, rrugë dhe ura të tjera. Por distanca Tiranë-Tropojë falë ndërtimit të Rrugës së Kombit nga 9 orë, zbriti në 3.5 orë. Gjatë kësaj qeverisje është investuar në Tropojë vetëm 2/3 e investimit të rrugës Bajram Curri-Lekbibaj. Pra diskriminim absolut total. Kjo është e vërteta. Si ndiheni ju kur kryetari juaj del dhe mashtron në këtë mënyrë? A ka të drejtë t’ju përfaqësojë ju kur merr pozicionin e një gënjeshtari ordiner? Unë ju pyes ju njerëzisht, a bëni mbledhje ju apo jo të grupit parlamentar?