“Epoka ime te Bayerni ka përfunduar. Nuk shoh më asnjë shans për të luajtur për këtë klub. Bayerni është një klub serioz, transferimi është zgjidhja më e mirë, shpresoj se nuk do të më bllokojnë”, deklaroi Robert Lewandowski nga grumbullimi me kombëtaren polake.
Më qartë se kaq nuk mund të flitet, por drejtuesit e klubit gjerman nuk kanë ndërmend të dorëzohen lehtë. Goleadori më i mirë i historisë së Bundesligës, ka edhe një vit kontratë me Bayern Munchen. Dëshira e tij është transferimi te Barcelona.
Në Spanjë theksojnë se 33-vjeçari ka arritur akordin me klubin katalanas, që është gati të paguajë 40 milionë euro për kartonin e tij. Në lidhje me prononcimin e fundit të Lewandowskit ka reaguar edhe Oliver Kahn.
CEO i Bayernit foli shkurtimisht për Sport 1, duke i dhënë një mesazh sulmuesit polak. “Nuk mund t’ju them pse Robert zgjodhi këtë mënyrë për të komunikuar situatën e tij. Deklarata të tilla publike nuk të çojnë askund. Robert u bë dy herë radhazi futbollisti më i mirë në botë këtu te ne. Ai duhet ta dijë realisht vlerën që ka pasur te Bayerni, vlerësimi nuk është një rrugë me një drejtim të vetëm”, deklaroi ish-portieri i famshëm gjerman.