Kadare nuk do vijojë më jetën në Paris. Shkrimtari me famë ka vendosur të lërë Parisin, ku ka jetuar dhe punuar për dekada, për t’u vendosur në Shqipëri, raporton A2 CNN.
“Nuk ka qenë një zgjedhje e atypëratyshme. Ka qenë një zgjedhje e ngadaltë, e padallueshme mirë. Kështu ka qëlluar. Më është dukur se këtu do ta them më mirë atë që mund të thosha për çdo rast, për rastet e lumtura ose të dëshpëruara të jetës. Në të gjitha rastet më është dukur se do të isha i përshtatshëm në këtë formë që jam”, ka qenë komenti i tij për gazetaren Luela Myftari.
I pyetur nëse i sheh sot shqiptarët më të mirë, shkrimtari përgjigjet: “Disa herë besoj se jemi, disa herë jo. Por koha do ta tregojë”.
Kujtojmë se Kadare la Shqipërinë në tetor të ‘90-ës, pas muaj pas hapjes së ambasadave, një akt që ai e përdori si një goditje ndaj sistemit komunist në zgrip. Shkrimtari u vendos në Francë dhe që prej asaj kohe e stacionoi jetën në Paris, por duke mos e shkëputur raportin fizik me Shqipërinë.
Ismail Kadare vlerësoi edhe kontributin e Arshi Pipës në njohjen e veprës së tij në botë. Kadare dhe Pipa kanë pasur mosmarrëveshjet e tyre në të kaluarën, por që tashmë duken të tejkaluara nga shkrimtari i madh.
“Zakonisht për përkthyesin thuhet se në një farë mënyre e tradhton veprën. Ne shkrimtarëve disa herë na pëlqen, disa herë nuk na pëlqen. Por nuk kemi të drejtë… Arshi Pipa ka përkthyer “Kronikë në gur” në anglisht. Kemi pasur marrëdhëniet tona të zakonshme, mes shkrimtarëve. Kam mendim të mirë për Arshi Pipën, megjithëse kjo mund të tingëllojë pak e habitshme, ngaqë ne, në shtypin letrar, kemi pasur acarime mes nesh. Por kjo është e zakonshme, nuk ka asgjë për t’u habitur. Zakonisht njerëzit presin që “plasi ndonjë sherr mes shkrimtarëve e ta ndjekim sa është interesant”. Arshi Pipa ka bërë një përkthim që është shpërndarë kudo në botë. Falë këtij përkthimi, por edhe përkthimeve të tjera, vepra ime është njohur në shumë vende, në të gjitha vendet e botës”, thotë Kadare.
“Nuk kam pasur konflikte me përkthyesit e mi. Kam qenë i kënaqur që edhe një përkthyerës si Arshi Pipa, me të cilin disa herë në botën letrare kemi pasur polemika, jo fort dakord me njëri-tjetrin për disa gjëra, nuk kam asnjë pakënaqësi që ai është marrë me veprën time, aq më tepër urrejtje. Përkundrazi, kam pasur falënderim që ky njeri i shquar i kulturës shqiptare i ka kushtuar një pjesë serioze të jetës së tij përkthimit të këtyre veprave. Ju do të prisni që unë të bëja ndonjë vërejtje për të, ju them sinqerisht, nuk e kam për arsye mirësjelljeje… Përkundrazi, kam mirënjohje që k zotëri është marrë gjithë këto vite me një nga romanet e mi. Dhe ia ka dalë. Nuk di ç’të them për vërejtjet që i janë bërë, për ato secili mund të japë mendimin e vet”.