Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë sisteme më të avancuara raketore në Ukrainë, për të ndihmuar atë të mbrojë veten. Konfirmimi erdhi nga presidenti amerikan, Joe Biden, në një shkrim të botuar nga New York Times.
Armët e kërkuara prej kohësh nga Ukraina, do t’i mundësojnë shënjestrimin me precision më të lartë të pozicioneve armike, deri në 80 km largësi. Edhe pse larg veprimit maksimal prej 300 km, municionet janë ato me rrezen më të gjatë të dërguar deri më tani në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara kishin refuzuar kërkesën e Kievit për armë më të avancuara, me frikën se ato do të përdoreshin kundër shënjestrave në Rusi, duke provokuar kështu përshkallëzim të konfliktit. Por të mërkurën, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se sistemet e avancuara raketore do të forcojnë pozicionin negociues të Kievit përballë Rusisë dhe do ta bëjnë më të mundur zgjidhjen diplomatike.
“Prandaj vendosa që ne t’i sigurojmë ukrainasve sisteme më të avancuara raketore dhe municione që do t’i ndihmojnë ata të shënjestrojnë më me saktësi objektivët kyçë në fushëbetejë”, tha presidenti Biden.
Armët e reja do të përfshijnë sisteme raketore të lëvizshmërisë së lartë, HIMARS, sic bëri të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, pa e saktësuar numrin e tyre.
Sistemet mund të lëshojnë raketa të shumëfishta të precizionit të lartë që mund të arrijnë shumë më larg nga ato që Kievi ka aktualisht në dispozicioni.
Muajin e kaluar shefi i ushtrisë ukrainase tha se HIMARS do të ishin vendimtare për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve raketore të Moskës.
Shtetet e Bashkuara presin që armët të dërgohen në rajonin e Donbas ku luftimet janë më intensive, por Shtëpia e Bardhë thotë se ka marrë garanci nga presidenti Zelensky se ato nuk do të përdoren për të sulmuar territorin rus.
Menjëherë pasi editoriali i Biden u publikua nga media amerikane, zyrtarë të ushtrisë ruse njoftuan se forcat bërthamore të këtij vendi po zhvillonin stërvitje në rajonin e Ivanovo, pranë Moskës.