Extra Zbulohet bima më e madhe në botë: 5 herë më e madhe...

Zbulohet bima më e madhe në botë: 5 herë më e madhe sesa Tirana

Bima më e madhe në botë, një barishte deti, gati 5 herë më e madhe sesa Tirana, është zbuluar pranë brigjeve të Australisë.

Duke përdorur testime gjenetike, shkencëtarët dolën në përfundimin se livadhi gjigant i ndodhur në Australinë Perëndimore është, në fakt, një bimë e vetme. Ata besojnë se ajo është formuar të paktën 4500 vite më parë.

Sipas shkencëtarëve të Universitetit të Australisë Perëndimore, barishtja mbulon një sipërfaqe rreth 200 kilometra katrorë.

Kjo lloj barishte gjendet rëndom në ujërat pranë brigjeve të Australisë. Studiuesit testuan 18 mijë shenja gjenetike për të zbuluar sa lloje bimësh bënin pjesë në këtë livadh nënujore. Por rezultatet treguan se ishte një bimë e vetme.

“Mbetëm të shtangur”, tha Jane Edgeloe, kryesuesja e grupit të studimit. “Është një bimë e vetme që shtrihet për 180 kilometra gjatësi dhe, kështu, bëhet bima më e madhe e njohur, në Tokë”.