Presidenti rus, Vladimir Putin ka shkarkuar këtë javë 5 gjeneralë nisur nga vështirësitë të Moska po has në pushtimin e Ukrainës.
Gazeta ruse “Pravda”, konfirmon këtë lajm duke iu referuar një dekreti të Ministrisë së Brendshme.
Mes tyre duket se është edhe gjenerali Aleksandr Dvornikov. Sipas inteligjencës ukrainase, ai nuk po udhëheq më trupat ruse në Ukrainë.
Vetë Putin vendosi të lirojë nga detyra të ashtuquajturin “kasapi i Sirisë”, të cilin e kishte thirrur për të udhëhequr pushtimin e vendit pas dështimit të avancimit drejt Kievit. Aleksandr Dvornikov nuk është shfaqur publikisht prej disa javësh.
Shkarkimi i 5 gjeneralëve që kanë mbajtur pozicione drejtuese në ushtri, vjen pak javë pasi 2 gjeneralë të tjerë u shkarkuan për performancë të dobët në Ukrainë.
Shërbimi i inteligjencës britanike thotë se gjenerali Serhiy Kisel u shkarkua pasi nuk arriti të merrte në kontroll Kharkiv.
Ndërsa Igor Osipov, u largua nga detyra pasi Rusia humbi anijen ‘Moskva’ në detin e Zi në Prill.
Të paktën 25 gjeneralë dhe komandantë rusë janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë.
Putin gjithashtu ka larguar nga detyra më shumë se 100 anëtarë të ‘ushtrisë private’ të cilët kanë refuzuar që të luftojnë në Ukrainë.
Gjithashtu qindra persona kanë dezertuar nga ushtria.
Deri tani, pushtimi i Ukrainës nuk ka shkuar sipas planeve të Rusisë.
Zyrtarë perëndimorë përllogarisin mbi 15 mijë rusë të vrarë, ndërsa Ukraina pretendon për 30 mijë të vrarë.
Sot mbushen 100 ditë nga lufta në Ukrainë, e cila nisi më 24 shkurt me sulm të paprovokuar dhe pa shpallur zyrtarisht luftë.