Kryesore “Kishim tre mundësi”, Rama tregon pse PS zgjodhi një ushtarak për president

“Kishim tre mundësi”, Rama tregon pse PS zgjodhi një ushtarak për president

Kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar të PS mëngjesin e së shtunës për të mbledhur firmat e nevojshme për kandidaturën e Bajram Begajt për postin e presidentit të ri.

Rama e vlerësoi Begajn si një person që përmbush të gjitha kriteret e nevojshme për të qenë në krye të shtetit, duke renditur një sërë virtytesh, që siç tha ushtarakët i kanë të spikatura.

Kreu i qeverisë zbuloi prapaskenat e diskutimeve në grupin e PS për të mbërritur deri tek emri i Begajt. Rama theksoi se në nisje të këtij procesi PS ishte përpara tre mundësive ose drejtimeve, nga të cilat u përjashtuan kandidaturat brenda grupit dhe kontribuuesit të PS në vite.

“Patëm nga grupi tre drejtime të përcaktuara në bazë profileve të propozimeve të bëra. Njëri drejtim ishte ai i të vetëpropozuarve këtu në grup, i cili u përjashtua menjëherë. Drejtimi i dytë i ishte ai që adresonte mundësinë për kandidatë që ka dhënë kontribut në PS, që nga ish-kryetari i PS Fatos Nano e me radhë për të cilët kemi respektin më të madh por e përjashtuam këtë mundësi pasi në këtë fazë PS ka barrën që të jetë e të gjithëve. Kështu u fokusuam tek drejtimi i tretë, ku grupi kishte vënë në dispozicion 26 kandidatura gra dhe burra të nderuar me profile të ndryshme. Pas një diskutimi shumë cilësor, në fund patëm 6 kandidatura që u diskutuan në mënyrë shumë konsensuale për të mbërritur tek kandidati që mori konsensusin e të gjithëve”, tha Rama.