Festim Bexhdili rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Jan Prengës. I njohur ndryshe si kopshtari, ai nuk ka pranuar akuzat në sallën e gjyqit, por Prokuroria e Posaçme e akuzon atë si bashkëpunëtor në vrasje.
Prokurorja Elida Kackini deklaron se Bexhdili nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, po nga pamjet filmike dhe antenat celulare është vërtetuar se ai ka shkuar në kompleksin “Golden” në Shijak disa minuta pasi është dërguar i rrëmbyeri (Jan Prenga).
Sipas prokurores kopshtari është marrë me pastrimin e vendit si dhe të nesërmen është larguar me një furgon dhe shfaqet me kazmë dhe lopatë.
Dyshohet se Festim Bexhdili e di vendin ku mund të jetë groposur Jan Prenga.
Ndërsa, për Olsi Turjan, prokurorja ka deklaruar se nuk ka rol aktiv në rrëmbim.
Por, sipas prokurorisë ai e ka ditur që në garazhin e ‘Golden’ ka ndodhur një vepër kriminale, pasi ka shkuar të nesërmen për të pastruar vendin se bashku me Bizhdilin.
Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit 2020 pranë banesës së tij, në rrugën ‘London’ në Kamëz.
Hetimet kanë treguar se u dërgua në një resort në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.
Rrëmbimi i Prengës erdhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokainë të mbërritur nga Ekuadori në portin britanik Portsmouth.