Aktualitet Përplasja në Kallmet, gjykata e Lezhës rrëzon kërkesën e ish-kreut të njësisë...

Përplasja në Kallmet, gjykata e Lezhës rrëzon kërkesën e ish-kreut të njësisë për lirim nga burgu

Ish-kreu i Njësisë Administrative të Kallmetit Besnik Simoni, i cili u arrestua me datë 2 Prill pas një konflikti me armë me një bashkëfshatar të tij, do të vijojë të qëndrojë në burg.

Gjykata e Lezhës ka rrëzuar kërkesën e 41-vjeçarit, i cili, përmes avokatit mbrojtës kishte kërkuar një masë sigurimi më të butë. Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë u shqurtua nga gjyqtari Artan Hajredinaj, i cili pasi dëgjoi palët në proçes, vendosi që ish-zyrtari lokal të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Kujtojmë se Besnik Simoni dhe Altin Marku u konfliktuan me armë në fshatin Kallmet pas një konflikti verbal, ku zënka degjeneroi deri në përdorimin e armëve, duke mbetur të dy të plagosur.

Me masën e sigurisë arrest në burg vijon të jetë dhe Altin Marku.

Ndaj tyre, rëndojnë akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Mes administratorit të Njësisë Administrative Kallmet, Besnik Simonit dhe Altin Markut, ka pasur shkëmbim zjarri. Pas përplasjes me armë zjarri, të dy u dërguan me urgjencë në spitalin e Traumës.

Zyrtarisht policia ka thënë se ngjarja u regjistrua pas një sherri që dyshohet të ketë nisur në zyrën e Njësisë Administrative mes Simonit dhe Markut.

Ky i fundit dyshohet se pas konfliktit verbal, e ka ndaluar në rrugë zyrtarin dhe më pas e ka qëlluar atë disa herë.