Politika Vuçiç falënderon Ramën: Pa të, Ballkani i Hapur nuk do të mund...

Vuçiç falënderon Ramën: Pa të, Ballkani i Hapur nuk do të mund të mbijetonte

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, falënderoi kryeministrin Edi Rama për përkushtimin që ka treguar për vazhdimin e nismës së Ballkanit të Hapur.

“Falënderoj Ramën, i cili ka qenë gjithmonë i fuqishëm. Edhe kur i është kërkuar të heqë dorë nga Ballkani i Hapur, ka treguar vendosmëri që të vijojë ta bëjë. Pa përkushtimin e tij, Ballkani i Hapur nuk mund të mbijetonte”, tha Vuçiç në konferencën për mediat pas nënshkrimit të 4 marrëveshjeve mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ballkani i Hapur lindi si ideja e tre njerëzve, por sot është i gjithmonë e më shumë njerëzve. Mjafton të vish në Ohër me makinë dhe të kalosh doganën, për të parë ndryshimin, ku një tabelë e thjeshtë shkruan korridori i gjelbër i Ballkanit të Hapur, që për të gjithë ata që transportojnë produktet e djersës së tyre do të thotë një çlirim i madh”, tha kryeministri Rama.

Ai i bëri edhe një herë tjetër thirrje Kosovës t’i bashkohet nismës. “Ballkani i Hapur as nuk ndalet, as nuk mbyllet. Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet. Kush heziton është i destinuar të humbë kohë të çmuar për të përfituar nga kjo nismë. Ne jemi këtu dhe do të vijojmë të jemi këtu”.

Në Samitin e Ballkanit të Hapur, të mbajtur në Ohër, u firmosën disa marrëveshje bashkëpunimi mes vendeve, në fushën e arsimit, kulturës, turizmit dhe administratës tatimore.

Lista

-Marrëveshje për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara.

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor.

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor.

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor.