Kosova mposhti 3-2 Irlandën e Veriut në sfidën e tretë të Nations League, duke u ngjitur në kuotën e gjashtë pikëve në Grupin 2 të Ligës B, tre më pak se Greqia kryesuese, rival të cilin dardanët do e sfidojnë më 12 qershor.
Pjesa e parë fantastike për Kosovën, dominim i djemve të Alai Giresse. Vedat Muriqi realizoi një dygolësh, të parin nga pika e penalltisë, teksa Zymer Bytyqi realizoi një gol fantastik, që i dha Kosovës avantazhin e dyfishtë në pjesën e parë.
Ishullorët shënuan dy herë me kokë me anë të Shayne Lavery dhe Daniel Ballard. Në fund festuan lojtarët dardanë, që e donin me çdo kusht këtë sukses në 4-vjetorin e vdekjes së Fadil Vokrrit, legjendës së futbollit dardan.
Portugalia vijon të bëjë mirë në Ligën e Kombeve, teksa mbrëmjen e sotme ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Republikës Çeke dhe ia ka dalë të ruajë vendin e parë në Grupin 2 të Ligës A.
Joao Cancelo dhe Goncalo Guedes kanë shënuar për luzitanët në minutat 33’ dhe 38’, të dy pas asisteve të Bernardo Silvës, duke siguruar një tjetër 3-pikësh, në një ndeshje ku Cristiano Ronaldo luajti titullar, por koleksionoi vetëm një karton të verdhë.
Gjen fitoren e parë në grup Spanja, që ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj Zvicrës. Pablo Sarabia shënoi golin me vlerë 3 pikë për spanjollët, që treguan sërish se kanë probleme në finalizim, pasi shpërdoruan jo pak edhe në transfertën zvicerane.
Nga ana tjetër helvetët nuk arritën të bëjnë asgjë për të shmangur humbjen e tretë në po kaq ndeshje të Ligës së Kombeve, duke konfirmuar se nuk po kalojnë një moment të mirë.
Në Ligën B. Norvegjia nuk shkoi dot përtej barazimit pa gola ndaj Sllovenisë në shtëpi, ndërsa Serbia mori një 3-pikësh të rëndësishëm falë suksesit 0-1 në transfertën ndaj Suedisë, teksa golin e vetëm e shënoi sulmuesi i Realit të Madridit, Luka Jovic.