Gjatë konferencës për mediat nga selia e Partisë Demokratike, kreu i PD-së Sali Berisha është pyetur lidhur me opinionet e dhëna në Tiranë nga raportuesi për Shqipërinë në CDU, Peter Beyer.
Berisha u shpreh se në betejën e tij ka përkrah vetëm shqiptarët.
“Këtë betejë Sali Berisha nuk e ka nisur me asnjë përkrahje të askujt përveç shqiptarëve. Ju garantoj se çdo ditë ndihem më i motivuar se kurrë nga mbështetja e shqiptarëve. Ju besoj jeni dëshmitarë të kësaj”, u shpreh Berisha.
Beyer theksoi se Gjermani do t’i qëndrojë krah SHBA-ve në vendimin për të mos bashkëpunuar me persona të shpallur non-grata dhe kërkoi një forcim të opozitës në vend.
Më tej, Berisha ka thënë se kjo parti e konsideron jetike krijimin e një fronti opozitar me të gjitha partitë e vërteta politike opozitare, grupet e interesit, sindikatat etj.
Kreu i PD-së Berisha ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të ngrihen në mbrojtje të idealeve të tyre për të shpëtuar Shqipërinë.
“PD i bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të ngrihen në mbrojtje të idealeve të tyre për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi monist i Ramës. Zgjidhja është sot më shumë se kurrë në duart e qytetarëve shqiptarë, të atyre që e duan këtë vend. Shembja e sistemit të kalbur monist arrihet me krijimin e një fronti opozitar si një lëvizje e fuqishme shpëtimtare për Shqipërinë. PD konsideron jetike krijimin e një fronti opozitar për shpëtimin e Shqipërisë të përbërë nga të gjitha forcat politike të vërteta opozitare, shoqëria civile, personalitete, individë, sindikata, grupe interesi, të gatshëm për t’u përballur me regjimin monist të Ramës. PD ju bën thirrje shqiptarëve kudo ku janë të angazhohen për të shpëtuar vendin nga shteti monist i Ramës. Asnjë shqiptar nuk duhet të harrojë se Shqipëria është republika moniste e Ramës. PD u bën thirrje të ndërpresin çdo mbështetje për regjimin monist të Ramës si një kontribut për vendosjen e një sistemi demokratik dhe kontrollit të balancës në këtë vend”, tha Berisha.