“Këtu bëjmë gjithçka për të njohurit”. Kështu mburrej shqiptari Ndue Pulaj para një gruaje për kontaktet e tij në spitalet milaneze. Kjo u zbulua nga përgjimet e hetuesve italianë të cilët zbuluan një rast korrupsioni mjekësh dhe infermierësh që ofronin certifikata dhe leje për emigrantët shqiptarë për të marrë falas shërbime të shtrenjta mjekësore nga sistemi shëndetësor italian.
Karta shëndetësore për të aksesuar trajtimet dhe barnat, jepeshin në këmbim të parave, një biletë për të ndjekur ndeshjen Milan-Verona në San Siro apo shërbime seksuale.
Sipas gazetës Corriere della Sera, në krye të skemës qëndronte italiani Davide Luigi Vergani. Ky i fundit shfaqet në video duke marrë një tufë me para në këmbim të kartës së shëndetit për Gentian Iljazin, të cilat i fut në xhepin e majtë. Në një rast Vergani shfaqet duke regjistruar edhe disa rumunë në sistemin shëndetësor.
Ndaj 9 të arrestuarve janë ngritur akuzat e korrupsionit, trafikut të drogës dhe ndihmës për emigracion të paligjshëm. Ata kishin krijuar një rrjet të trafikut të ilaçeve me përmbajtje narkotikesh dhe mashtrim me dokumentacionin e nevojshëm për pacientë nga Shqipëria që merrnin trajtim si në kushte të emergjencës në vendin fqinj.
Kryesisht medikamentet Clexane ose Enoxaparin, përdoreshin për trajtimin mjekësor të pacientëve me COVID, të cilët ishin të vështirë për t’u gjetur në kohët më të vështira të pandemisë. SPAK ushtroi kontroll në 11 zyra në QSUT e banesa ku u gjetën dokumente italiane të nevojshme për hetimin, ndërsa anti-mafia në Milano vuri në sekuestro 500 mijë Euro dhe ilaçe që kapnin vlerën e 20 mijë Eurove.