27-vjeçari Aleksandër Sadikaj që u vra sot në dalje të Tiranës, pasi mjeti me të cilin ai lëvizte, shpërtheu me tritol të telekomanduar rezulton edhe pronar i resortit “Sancho Farm Albania” në Memaliaj.
Ferma e kampingut “Sancho Farm Albania” në Memaliaj, sipas të dhënave nga QKB rezulton e regjistruar në janar të këtij viti.
27-vjeçari lindur në Berat dhe banues në Memaliaj njihej nga të gjithë si “Aleksi nga Memaliaj”. Ai jetonte me nënën në Tiranë vitet e fundit.
Ai jetonte mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sadikaj ishte emër i njohur për policinë, pasi ishte person me precedent të theksuar kriminal, në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.
Atentati
Nga veprimet paraprake, dyshohet se në mjet ishte montuar rreth 150 gr tritol. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikëses, mjeti u dogj plotësisht.
Hetuesit dyshojnë se shkak i tritol vënies mund të jenë bërë konfliktet e vjetra të 27-vjeçarit Sadikaj, apo ndonjë konflikt që ai mund ta ketë pasur kohët e fundit.
I riu me origjinë nga Berati dhe banues prej disa vitesh në Tiranë është person me precedentë të mëparshëm kriminalë në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.
Aleksandër Sadikaj, është arrestuar disa herë nga policia. Konkretisht, ai ishte akuzuar për dy vjedhje të ndodhura në vitin 2011 në Berat e në Vlorë. Në Maj të 2017 ai akuzohet për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, për të cilën u dënua me 8 muaj burgim.
Sadikaj ishte hetuar në vitin 2019 me masë arrest në burg për tentativën e vrasjes me dashje të një personi në Sarandë. Më 9 korrik të atij viti, Sadikaj, në bashkëpunim me një tjetër person, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë një shtetas.
Po ashtu, policia kishte informacione në rrugë operative se 27-vjeçari kryente veprimtari edhe në fushën e narkotikëve.