Pas raundit të parë të zgjedhjeve për parlamentin në Francë fronti i qendrës i presidentit Macron rrezikon të humbasë shumicën absolute. Macron ka një kundërshtar të ri me aleancën e re të majtë, aleancën “Nupes”.
Pak pas rizgjedhjes si president, Macron duhet t’i trembet humbjes së shumicës absolute në Asamblenë franceze, gjë që do t’ia vështirësojë qeverisjen dhe realizimin e projekteve politike që Macron i bëri të ditura gjatë fushatës elektorale për president.
Në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare, aleanca e majtë e gjelbër “Nupes” e Jean-Luc Melenchon ka arritur të marrë gati po aq vota (25,7%) sa fronti i qendrës i presidentit Macron, “Ensemle” (25,8%). Dallimi mes dy kampeve politike, sipas të dhënave zyrtare qëndron në 21.442 vota, përballë 48,7 milionë qytetarëve me të drejtë vote. Sistemi i komplikuar zgjedhor çon pjesërisht në dallime të mëdha në proporcionalitet dhe shpërndarjen e vendeve në parlament. Në fund vlejnë votat për fituesin e secilës zonë zgjedhore. Sipas sondazheve të instituteve, pritet që të dielën e ardhshme, kampi i Macron në raundin e dytë të mbledhë vota nga shumë zgjedhës, kandidatët e preferuar të të cilëve kanë humbur në raundin e parë.
Shumica absolute në rrezik
Sipas kësaj llogaritjeje mbështetësit e Macron mund të marrin 255 nga 295 vende në parlamentin me 577 vende. Për shumicën absolute nevojiten 289 vende. Për aleancën “Nupes” parashikohen 150 deri në 210 vende, megjithë rezultatin e mirë zgjedhor.
Nëse Macron e humb shumicën absolute, atëherë ai duhet rregullisht që të marrë mbështetjen e kampeve të tjera politike dhe të bëjë më shumë kompromise, si për shembull tek reforma e pensioneve. Vetë Melenchon e vlerësoi rezultatin zgjedhor si dështim për kundërshtarin politik, Macron. “E vërteta është se partia e presidentit në raundin e parë ka dështuar dhe është mundur”, tha ai në Paris.
Populistja e djathtë, Marine Le Pen u tregua optimiste, që partia e saj “Rassemblement National” në të ardhmen do të mund të krijojë një fraksion të vetin. Për këtë nevojiten 15 deputetë, partia e saj sipas llogaritjeve mund të arrijë 10-30 vende.
Kryeministrja e sapoemëruar nga Macron, Elisabeth Borne bëri thirrje për një “javë të mobilizimit”. Ajo vetë dhe 14 anëtarë të qeverisë kanë dalë në zgjedhje dhe rrezikojnë të humbasin postet, nëse nuk fitojnë në zonat e tyre zgjedhore. Por nuk dihet, nëse shumica e francezëve do mund të mobilizohet të dielën e ardhshme. Pjesëmarrja në zgjedhje arriti një pikë tjetër të ulët.