Federico Rampini- Corriere
Ka një vend në botë që, pavarësisht se është një importues i madh gruri, nuk po e vuan krizën aktuale, madje në të vërtetë mund të përfitojë prej saj.
Për arsye “misterioze”, ajo ka grumbulluar më shumë rezerva gruri se pjesa tjetër e botës së bashku.
Filloi ta bënte shumë kohë më parë se Vladimir Putin të niste agresionin e fundit ushtarak në tokën ukrainase.
Enigma e rezervave ushqimore të Pekinit mund të zgjidhej vetëm nëse Xi Jinping do të donte të fliste.
Tani për tani mundet vetëm të aludojmë për shpjegimet e mundshme dhe zhvillimet që do të ketë.
Të dhënat janë zyrtare dhe një nga burimet më të besueshme në këtë sektor janë Shërbimet Bujqësore për Jashtë të SHBA-ve.
Rezervat e grurit të mbajtura në hambarët kinezë tejkalojnë 140 megaton (miliona tonë).
Në vetvete, ky është një lajm i rëndësishëm.
Është qetësuese nëse kjo shifër krahasohet me sasinë e grurit që mungon në tregjet botërore, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës: 50 ose 60 megaton.
Megjithatë, sasia e madhe e rezervave kineze është shqetësuese, kur krahasohet me rezervat e grurit të disponueshëm në pjesën tjetër të botës.
Koalicioni perëndimor i Shteteve të Bashkuara, Evropës, Kanadasë dhe Australisë mezi u afrohet 40 megatonëve drithë në rezervë.
Azia Jugore, e cila përfshin Indinë, ka më pak se ne (por është e vërtetë që India është bërë një prodhues/eksportues i madh i grurit).
Zona që përfshin Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut ka rezerva për rreth gjysmën e Perëndimit.
Nëse mblidhen të gjitha këto rezerva, përfundimi është pozitiv dhe në të njëjtën kohë shqetësues: bota me 280 megaton grurë ka mjaftueshëm për të përballuar shantazhin e Putinit që kap eksportet e Ukrainës.
Ashtu si në rastin e energjisë fosile, realisht nuk po përballemi me mungesë dhe disa rritje të çmimeve janë të tepërta në krahasim me disbalancat reale ndërmjet ofertës dhe kërkesës.
Megjithatë, trazirat e pjesshme në disa flukse tradicionale të furnizimit janë të mjaftueshme për t’i çuar tregjet në fibrilacion.
Për më tepër, rezervat e grurit menaxhohen nga secili komb, sipas kritereve specifike, ato nuk janë të disponueshme për të gjithë për t’u marrë me emergjencat lokale.
“Misteri kinez” gjithsesi mbetet.
Duke mbledhur të gjitha rezervat e grurit të pjesës tjetër të botës, ajo mbetet nën 140 megatonët në dispozicion të Kinës. Madhësia e saj demografike nuk mjafton për të shpjeguar këtë disproporcion.
Edhe me 1.4 miliardë banorë, Republika Popullore nuk përfaqëson gjysmën e popullsisë së botës (jemi rreth tetë miliardë).
Mbibollëku i stoqeve të saj është rezultat i një politike të qëllimshme, e një akumulimi që filloi shumë përpara fillimit të luftës në Ukrainë.
Xi Jinping “e dinte” mirë paraprakisht se çfarë do të bënte Putin dhe i parashikoi pasojat në tregun botëror të ushqimit?
Natyrisht, faza e parë e agresionit rus daton në vitin 2014, kështu që ky shpjegim nuk është krejtësisht i largët. Megjithatë, duhet të futet në një kontekst më të gjerë.
Udhëheqja komuniste kineze është e fiksuar pas problemit të vetëmjaftueshmërisë ushqimore, e cila, ndër të tjera, nxit politikat e zgjerimit të saj në Afrikë dhe Amerikën Latine.
Drejtuesit e Pekinit mund të kenë parashikuar gjithashtu një rikthim të kërkesës globale pas COVID-it para kohe.
Nomenklatura komuniste ka frikë nga inflacioni, nuk harron se kostoja e lartë e jetesës ishte një nga shkaqet e shpërthimit të protestave sociale që çuan në tragjedinë e Sheshit Tiananmen në 1989.
Sigurisht, si “tregtarë” dhe spekulatorë, sundimtarët kinezë kanë pasur një dhunti të jashtëzakonshme: nëse sot do të fillonin të shesin aksionet e tyre të tepërta në tregje, do të kishin fitime fenomenale.
A do ta bëjnë? Kur do ta bëjnë? Si?
Ndryshe nga rezervat e naftës, rezervat e grurit nuk mund të mbahen pafundësisht: ato mund të skadojnë.
Në një menaxhim aktiv të kësaj trashëgimie të madhe ushqimore, mbi të cilën “ulet” Xi Jinping, mund të arrihen shumë konkluzione dhe simulime.
Shitja graduale në tregje, përveç fitimeve në dobi të arkës së shtetit kinez, do të kishte një efekt qetësues në çmimet botërore; megjithatë do të ishte dëm i shkaktuar Putinit, i cili do të privohej nga shantazhi ushqimor.
A mund të imagjinojmë një diplomaci të madhe humanitare, në të cilën Pekini do të ofrojë ndihmë me drithëra për vendet më të prekura nga kriza aktuale, në zonat e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme?
Herët a vonë do të zbulojmë se cilat strategji dhe çfarë llogaritje do të përshtatë Xi Jinping për të përdorur fuqinë e tij në krizën ushqimore.
Por mbetet misteri se përse ai mbërriti kaq i përgatitur në këtë moment…