Është gjetur e vdekur Elena Del Pozzo, 5-vjeçarja e cila u denoncua si e rrëmbyer të hënën në Tremestieri Etna. Ka qenë nëna ajo që ka çuar hetuesit në vendin ku ndodhej trupi i fëmijës, pas presionit të ushtruar prej tyre, gjatë marrjes në pyetje.
Lajmi për zbulimin e trupit të pajetë u konfirmua nga prokurori i Katanias, Carmelo Zuccaro. Në fillim, gruaja deklaroi se vogëlushja, u rrëmbye nga tre burra të armatosur dhe me kapuç, ndërsa ajo ishte me të në makinë, rrugës për në kopsht.
Të dhënat, të shoqëruara me informacione të përgjithshme dhe një foto të vogëlushes së rrëmbyer, qarkulluan në rrjetet sociale dhe u bënë virale, pasi një ngjarje e tij nuk shënohej prej kohësh në Itali.
Në postim thuhet se “vajza është rrëmbyer në zonën e Piano Tremestieri dhe se autorët e mundshëm janë tre persona me kapuç që udhëtojnë me një makinë”, të cilës nuk i dihet modeli, ngjyra dhe targa.
Hetuesit që në fillim përjashtuan mundësitë që rrëmbimi të ishte vepër e krimit të organizuar, as i lidhur me një kërkesë për shpërblim, pasi familja nuk kishte probleme ekonomike, por as të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar një rrëmbim për zhvatje.
Deklaratat e gruas u dukën të pabesueshme nga hetuesit pasi veç saj nuk kishte asnjë dëshmitar tjetër të ngjarjes. Madje asnjë telefonatë nuk kishte mbërritur tek 112 për rrëmbimin e saj.
Pas presionit dhe pyetjeve të vazhdueshme, e ëma e vajzës ka treguar më në fund vendin ku gjendej trupi i fëmijës.
Në vendngjarje ka mbërritur dhe i ati i vajzës i cili ka shpërthyer në lot teksa ka parë trupin e pa jetë të saj.
Prindërit e 5-vjeçares jetonin të ndarë pas grindjeve dhe mosmarrëveshjeve kohët e fundit.