Aktualitet Arrestohet në Vjenë Kasandër Noga, dyshohet si autor i atentatit në Bruksel....

Arrestohet në Vjenë Kasandër Noga, dyshohet si autor i atentatit në Bruksel. Do të kthehej në Shqipëri

Geron Hasanbelli dhe Kasandër Noga

Vjenë – Policia austriake ka arrestuar në Vjenë shqiptarin e shumëkërkuar Kasandër Noga i dyshuar si autor i plagosjes me 6 plumba të Erion Musabelliut në Belgjikë mbrëmjen e të shtunës 11 qershor 2022. Arrestimi i 45-vjeçarit është kryer në hyrje të banesës së tij në zonën Donaustad, teksa Noga kishte bërë gati valixhet dhe po nisej drejt aeroportit me qëllim kthimin në Shqipëri.

Kasandër Noga është akuzuar nga autoritetet belge si autor i ngjarjes ku mbeti i plagosur Erion Hasanbelliu mbrëmjen e 11 qershorit 2022 në afërsi të një hoteli. Pikërisht kamerat e këtij biznesi kanë filmuar të gjithë skenën dhe zbuluan 45-vjeçarin Noga teksa qëlloi me 6 plumba Hasanbelliun dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Sipas informacioneve atentati ka ndodhur si pasojë e një hakmarrje disavjeçare mes dy familjeve Hasanbelliu dhe Noga. Konflikti filloi në vitin 2000 kur Kasandër Noga i maskuar si punonjës policie u fut brenda reanimacionit duke qëlluar për vdekje mbi të atin e Erionit, Aqif Hasanbelliun.

Hakmarrja nuk u ndal këtu pasi Erion Hasanbelliu bashkë me vëllain e tij Geron Hasanbelliu ekzekutuan Julian Çelën dhe plagosën rëndë Kasandër Nogën në 2002, në Belgjikë.

Tashmë pritet që autoritet të kryejnë ekstradimin e Kasandër Nogës në Bruksel ku do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij. Burime të policisë shqiptare thanë se pas ngjarjes në Bruksel më 11 qershor, në vendin tonë janë kontrolluar disa banesa, por nuk është gjetur asgjë me interes për hetimin.