Forcat e Komisariatit Nr.4 të Policisë së Tiranës kanë arrestuar drejtuesin e një mjeti pasi iu largua policisë dhe refuzoi të kryente testin e alkoolit.
Shoferi me iniciale A.D. u konstatua në rrugën Bardhyl duke mbajtur një fëmijë në sedijen e parë të makinës pa sisteme fiksimi, shkelje kjo e Kodit Rrugor.
Gjatë kontrollit policor, në komunikimin me efektivët, drejtuesi i mjetit ka shfaqur shenja të përdorimit të alkoolit. Pasi i është kërkuar që të kryejë testin e alkoolit, ai ka refuzuar dhe është larguar menjëherë me mjet, me shpejtësi, dhe për këtë arsye, punonjësit e policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe në rrugën “4 Dëshmorët” kanë bërë ndalimin e tij.
Drejtuesi i mjetit sërish ka refuzuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit dhe pas këtij kundërshtimi të dytë është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.4, Tiranë, ku edhe në ambientet e Komisariatit ka refuzuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit.
Gjatë shoqërimit për në Komisariat të drejtuesit të mjetit, janë njoftuar familjarët e fëmijës 5-vjeçar, i cili është marrë më pas nga nëna e tij.
Pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se shtetasi A. D. drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.86 mg/l.
Përveç ndëshkimit për shkeljet rrugore, ku i është pezulluar leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe u ndëshkua me masë administrative me 30.000 lekë të rinj.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit për veprat penale të “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.