Një sasi e konsiderueshme kokaine është sekuestruar në Portin e Durrësit nga Policia Kriminale e Durrësit, Policia Kufitare dhe autoritetet doganore.
Gjatë operacionit të koduar “Tranziti” u sekuestrua sasi prej 45 kilogramë e 500 gramë kokainë.
Lënda narkotike ishte fshehur brenda një konteineri të ngarkuar me mish pule dhe që ishte nisur tranzit nga Brazili. Destinacioni i konteinerit ishte Maqedonia e Veriut, për llogari të një subjekti tregtar që kishte bërë porosinë.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në konteiner, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të.