Aktualitet Kokaina në Durrës kishte për destinacion Maqedoninë e Veriut, arrestohen biznesmeni nga...

Kokaina në Durrës kishte për destinacion Maqedoninë e Veriut, arrestohen biznesmeni nga Prishtina dhe agjenti doganor

Kokaina e sekuestruar

Policia ka arrestuar dy persona në lidhje me sasinë e kokainës të kapur mbrëmjen e të mërkurës në Portin e Durrësit.

“Pas hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vihen në pranga administratori i kompanisë dhe një agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani”, tha Policia.

Sipas saj, kokaina – 40 kg e 500 gr – vinte transit nga Brazili për në Maqedoninë e Veriut dhe u kap falë informacioneve që dispononte Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Në pranga përfunduan:

Arben Ferizi, 30 vjeç, banues në Prishtinë, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil;

Egert Vargu, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani.

“Mbrëmjen e djeshme, në Portin e Durrësit, Task Forca që vepron 24/7 në Portin e Durrësit, e cila përbëhet nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut dhe në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë, bazuar në informacionet që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, ka ushtruar kontroll të detajuar në një kontejner të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur transit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontejner, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë”, tha Policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.