Në interpelancën me Ministrin e Brendshëm, deputeti demokrat Ervin Salianji hodhi akuza për rritje të numrit të vrasjeve mafioze. Ai tha se janë më shumë se 100 vrasje të pazbardhura.
Salianji tha se ndonëse policia ka më shumë burime, më të aftë për të gjetur njëri-tjetrin janë kriminelët. Këtu u ndal edhe tek arrestimi i të shumëkërkuarit Nuredin Dumani, që sipas Salianjit ishte ai që e mori vetë policinë pasi u plagos me armë zjarri, për t’i shpëtuar vdekjes.
“Është rritur numri i vrasjeve të stilit mafioz, aty duket qeveria. Se ç’punë keni ju se ka rënë numri i vrasjeve brenda familjes, çfarë jeni zjarrfikës në sherre familjare? Shyqyr që ndodh, që nuk ka, apo vrasjet nga pakujdesia dhe puna juaj matet me parandalimin e krimit në këto nivele dhe padiskutim ka një matës tjetër, zbulueshmëria e krimit. E dini ju që gjatë qeverisjes tuaj ka më shumë se 100 vrasje të pa zbardhura apo jo? Më shumë se 100 vrasje të pa zbardhura në këto vite. E dini ju që siç e di dhe publiku tani, që një prej personave që ka përmbytur hapësin publike në këtë vend, ky Dumani i famshëm ishte në kërkim, vriten me njëri-tjetrin persona që janë në super kërkim policor, shkojnë në mes të Elbasanit, gjejnë njëri-tjetrin. Pra, ata me aq aftësi sa kanë gjejnë njëri-tjetrin ndërkohë që nuk i gjen dot policia e Shtetit që ka burime financiare dhe ka mundësi dhe kapacitete shumë të mëdha.
E gjetën njëri-tjetrin policia nuk e gjeti dot, edhe pas i plagos ai, ky që sot po bën namin. Dhe çfarë ndodhi? U plagos dhe e mori vetë policinë për ta përdorur, për t’i shpëtuar vdekjes, për të bërë ndërhyrje kirurgjikale. Dhe sot merreni emrat 1 për 1, të gjithë emrat që janë aty, porositës të vrasjeve me pagesë, vrasës me pagesë, kontingjenti kriminal më llum në këtë vend, i kemi përmendur me emra sesi janë përdorur nga PS në fushatë elektorale, që të gjithë, 1 më 1. Nuk doli një nga ata të ishte dhe të thonit ky ka qenë mbështetës i PD dhe ju ka mbështetur ju në këtë fushatë”.