Deputeti demokrat Dashnor Sula ka bërë një deklaratë të fortë. Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Sula hodhi dyshime të forta se në kafenë e Kuvendit pihet dhe hashash.
“Këtu, te kafja ngjitur vjen era puro që pinë pasanikët e pushtetarët, mos them ndonjë gjë tjetër që vjen edhe era hashash.
Ky është realiteti zonja kryetare. Po Kadillaku i kryeministrit e di sa benzinë e naftë harxhon? Apo i ministrave të tjerë? Po e dini se çmimi i naftës është jashtëzakonisht i lartë.
Unë nuk e kam për turp dhe jam krenar që jam fshatar, dhe që përfaqësoj gjithë ata fshatarët e bujqit. Dilni e shikoni njëherë nëpër fshatra, është gjendja katastrofike.” – tha Dashnor Sula.
Pas fjalës së deputetit Sula, ka reaguar kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila e cilësoi si fyerje deklaratën në fjalë dhe tha se ai duhet të kërkojë falje.
“Është fyerje e madhe që i bëhet institucionit, kolegëve deputetë, duke thënë një të vërtetë të madhe. Ju kërkoj të kërkoni falje”, tha Lindita Nikolla.
Ndërsa deputeti Sula tha se “nuk akuzova askënd. Unë nuk pi as duhan, dhe mund ta ngatërroj, por aty vjen era puro e të mbyt.”