Në qytetin e Bigastros në Spanjë nuk flitet për asgjë tjetër përveç vdekjes së një djali 2 vjeç, trupi i të cilit kishte mavijosje.
Fillimisht çështja u trajtua si një aksident, por duke parë se lëndimet nuk përputheshin me versionin e nënës, u konsiderua si vdekje e shkaktuar nga dhuna.
Nëna e fëmijës tashmë ndodhet në burg, e akuzuar për vrasjen e njërit prej fëmijëve të saj dhe plagosjen e binjakut tjetër.
Nëna 32-vjeçare ka deklaruar fillimisht se fëmija ishte rrëzuar nga një karrige e lartë, raportojnë mediat lokale në Spanjë.
Fillimisht fqinjët kanë shprehur keqardhje për nënën shqiptare, pasi menduan se njëri nga fëmijët e saj kishte pësuar një aksident fatal.
Hatixhe Kamxhiu ka telefonuar urgjencën më 11 qershor për të lajmëruar aksidentin, teksa ishte vetëm me fëmijët në shtëpinë e saj.
Por, mjekët vërtetuan se 2-vjeçari kishte vdekur për shkak të arrestit kardiorespirator.
Ndërsa vëllai i tij binjak, kishte disa shenja që dëshmonin keqtrajtimin e nënës.
Hatixhe nuk kishte precedent penal, por më parë kishte humbur kujdestarinë e të miturve për shkak të varësisë nga droga.
Fqinjët e tregojnë atë një grua të vetmuar me pak miq.
“Ajo ishte gjithmonë shumë nervoze duke qortuar fëmijët e saj për gjithçka,” thotë një fqinj.
Shumë banorë dyshonin se diçka nuk shkonte sepse “ajo u bërtiste gjithmonë fëmijëve”, megjithëse nuk e imagjinonin përfundimin.
Në një rast madje, një prej fqinjëve kishte vënë re se dy fëmijët kishin shenja kafshimi.
Nëna është justifikuar duke thënë se kanë kafshuar njëri-tjetrin.
Madje, ka dëshmi që tregojnë se si motra e madhe u kishte thënë se Hatixheja flinte gjithmonë me të njëjtin binjak, pasi ishte “i preferuari i saj”.
Nëna e binjakëve kishte pasur disa marrëdhënie sentimentale që kur mbërriti në qytet dhe nga sa përshkruajnë fqinjët, “askush nuk e di se kush është babai i dy fëmijëve”.
Hatixhe ka gjithashtu një vajzë 9 vjeçe, e cila, sipas fqinjëve, jeton me gjyshërit nga babai.