“Nuk do të kthehemi pas”. Por as përpara, duke gjykuar nga fjalimi aq i pritur, por edhe aq i ngjashëm me fjalimet e mëparshme. Vladimir Putin e nisi me një orë e gjysmë vonesë (për shkak të një sulmi kibernetik) fjalimin e tij në atë që konsiderohet “Davosi” i Rusisë.
Asgjë nuk do të mbetet siç ishte më parë, tha presidenti rus. Shefi i Kremlinit akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë se i trajtojnë vendet e tjera si koloni pasi mendojnë se janë epiqendra e vetme e botës.
Putin shtoi se tashmë epoka e rendit global me një lider ka perënduar, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për ta ruajtur këtë me çdo kusht.
“Shtetet e Bashkuara, duke shpallur fitoren në Luftën e Ftohtë, u vetëshpallën profetët e Zotit në Tokë, të cilët nuk kanë detyrime, por vetëm interesa. Për më tepër, këto interesa j janë shpallur të shenjta. Ata duket se nuk e kanë kuptuar se gjatë dekadës së fundit, qendra të reja të fuqishme politike janë formuar në planet dhe po rriten e rriten në besim”, deklaroi Putin
Kritika dhe fjalë të ashpra edhe në drejtim të Bashkimit Europian. Presidenti rus tha se Europa do të humbasë mbi 400 miliardë euro vitin e ardhshëm për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës, por jo vetëm kaq.
“Bashkimi Europian e ka humbur plotësisht sovranitetin e tij politik. Elita burokrate e tij kërcen me muzikën e të tjerëve duke pranuar gjithçka që u thuhet nga lart, duke i shkaktuar dëm qytetarëve të tyre, ekonomisë dhe biznesit.”
Kreu i Kremlinit shtoi se ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë nuk ishte shkak i problemeve ekonomike. Shkaku i vërtetë, sipas tij, u bënë politikat e Perëndimit.
“Rusia dhe veprimet e saj për të çliruar Donbasin nuk kanë lidhje. Sot, rritja e çmimeve, inflacioni, problemet me sigurinë ushqimore, karburantet dhe sektorin e energjisë në tërësi janë pasojë e gabimeve sistematike të administratës amerikane dhe burokracive evropiane”, theksoi Putin.
Presidenti Putin nënvizoi se sanksionet kundër Rusisë janë një çmenduri dhe të pamenduara mirë. Sipas tij qëllimi i vetëm, për të shkatërruar ekonominë ruse nuk ka funksionuar. Shefi i Kremlinit pranoi ftesën e Kombeve të Bashkuara për dialog mbi çështjen e sigurisë ushqimore, duke thënë se vendi i tij nuk pengon furnizimin e tregut global me grurin e Ukrainës.